Do të vlejë “për të kujtuar të gjithë ata që humbën jetën në përpjekje për të emigruar drejt Italisë për t’u shpëtuar luftës, persekutimit dhe varfërisë”. Senati miraton përfundimisht
Romë, 16 mars 2016 – Këtej e tutje më 3 tetor Italia do të kujtojë të gjithë ata burra, gra e fëmijë që i largoheshin varfërisë, luftës dhunës e humbën jetën në ndjekje të ëndrrës së tyre për një të ardhme më të mirë në këtë vend. Senati miratoi përfundimisht Ditën në kujtim të viktimave të imigracionit.
Projektligji u paraqit në Dhomën e deputetëve një muaj pas masakrës së 3 tetorit 2013 në Lampedusa, kur 366 vdiqën me mbytjen e anijes përballë ishullit. Në Senat teksti mbërriti në prag të tragjedisë së 18 prillit 2015 kur 800 persona të tjerë u mbytën në Kanalin e Sicilisë. Dy ngjarje simbol të tragjedisë së përditshme në Mesdhe.
“Republika njeh ditën 3 tetor – thotë neni i parë i ligjit të miratuar sot – si Ditën kombëtare në kujtim të viktimave të imigracionit, me qëllim që të ruhet dhe dhe të sillet ndër mend kujtimi i të gjithë atyre që humbën jetën në përpjekjen për të emigruar drejt vendit tonë për t’u shpëtuar luftërave, përndjekjeve dhe varfërisë”.
Në mbarë Italinë, atë ditë do të organizohen “ceremoni, nisma dhe takime për të sensibilizuar opinionin publik rreth solidaritetit me migrantët, për respektin e dinjitetit njerëzor dhe të vlerës së jetës së çdo individi, për integrimin dhe mikpritjen”. Do të ketë edhe nisma të ndryshme në shkolla, “për të sensibilizuar e formuar të rinjtë mbi temën e imigracionit dhe të mikpritjes”.
Duhet thënë që politika arriti të ndahej edhe mbi të vdekurit. Ligji u miratua me votat e Partito Democratico, Sinistra e Libertà, Area Popolare. Lega votoi kundër ndërsa Movimento 5 Stelle e Forza Italia abstenuan.
Njohja e Ditës në kujtim të viktimave të imigracionit pati si nismëtar Comitato 3 Ottobre dhe u mbështet nga mëse 30 organizata, ente dhe institucione e nga 30 mijë firma të mbledhura online. Projektligji u paraqit në Dhomën e Deputetëve nga deputetët PD Paolo Beni, Khalid Chaouki dhe Ermete Realacci, një i ngjashëm u paraqit në Senat nga Luigi Manconi.
Nga tragjedia e Lampedusas deri më sot, kujton Comitato 3 Ottobre, “kanë vdekur në Mesdhe të paktën 8.000 persona të tjerë. Këto shifra janë si një buletin lufte që rrezikon të shtyjë njerëzit të mendojnë se të tilla tragjedi janë të pashmangshme”. Dita e kujtimit “është një mundësi për të ndihmuar në ngritjen e solidaritetit që mungon, që të lërë mënjanë shifrat dhe të mësojë që ata persona kanë emër e histori, që duhen mbrojtur njerëzit e jo kufijtë”.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)