in

31 mijë shqiptarë me ndërmarrje individuale në Itali

Çdo 12 ndërmarrje italiane, njëra ka për administrues një person që nuk ka lindur në Itali. Sipërmarrjet e të huajve janë në 80% të rasteve individuale, e nga këto të fundit, vetëm 7,3% janë të shqiptarëve. Kanë më shumë ndërmarrje të tilla marokenët, kinezët dhe rumunët.

Romë, 13 nëntor 2015 – Praktikisht, ndër 12 ndërmarrje italiane, një drejtohet nga një i huaj. Sipas Raportit të fundit mbi Imigracionin e Sipërmarrjen i realizuar nga qendra studimore IDOS, janë 524.674 sipërmarrjet e administruara nga persona që kanë lindur jashtë Italisë. Vitin e shkuar janë shtuar me 28 mijë, ndërkohë që ato të administruarat nga italianë janë pakësuar me 48 mijë.

Ato të imigrantëve janë shpesh ndërmarrje të vogla, në fakt 80,2% e tyre ose 421.004 janë ndërmarrje individuale e këto përbëjnë 1 ndër 8 të të gjitha sipërmarrjeve individuale në Itali.

Sipas raportit, ndërmarrjet individuale të shqiptarëve në fund të vitit 2014 janë 31.016. Shpërndarja krahinore e ndërmarrjeve të shqiptarëve përputhet me shpërndarjen krahinore të komunitetit. Kështu, krahina që ka më shumë sipërmarrës shqiptarë është Lombardia (5.910 ose 19,1% e të gjitha ndërmarrjeve të shqiptarëve). Në vend të dytë renditet Toskana (5.460, 17,6%), në vend të tretë Emilia Romagna, (4.604, 14,8%) e më pas Piemonte (3.451, 11,1%), Liguria (2.962, 9,5%), Veneto (2.094, 6,8%) dhe Lazio (1.209, 3,9%).

Sektori ku janë më të pranishëm sipërmarrësit shqiptarë është ndërtimi (75,8%). Pas tij vjen ai i shërbimeve (17,8%), ku futet tregtia, turizmi, hoteleria, etj. Bujqësia shënon një përqindje vërtet të ulët (1,9%).

Sipas raportit, gratë shqiptare që kanë ndërmarrje janë rreth 9%, megjithëse përbëjnë thuajse gjysmën e komunitetit shqiptar në Itali.

Për sa u përket grupmoshave, të dhënat tregojnë se shqiptarët sipërmarrës janë të rinj, ose të rritur që nuk e kalojnë moshën 50 vjeçare.

Gjatë viteve të krizës (2008 – 2014) numri i tyre ka qenë në rritje, por gjithsesi ritmi i rritjes së tyre ka qenë më i ngadaltë se mesatarja e imigrantëve në përgjithësi.

Për një analizë të hollësishme dhe dritëhijet e kësaj dukurie mund të lexoni shkrimin e sociologut Rando Devole në blogun Peizazhe të Fjalës me titull Sipërmarrësit shqiptarë”.

 

Teramo. Keqtrajton bashkëshorten dhe vajzën e mitur. Arrestohet 56 vjeçari Mema

Gjergji Kajana, publicisti beratas që synon politikën