in

70-vjeçari përpara Parlamentit: “Dua pensionin për vitet e punës në Itali”

Nuk ka asnjë qindarkë pension për 12 vitet e punës në Itali. Madrit Maliqati proteston në mes të Romës

Romë, 4 maj 2014 – “Extracomunitario invalido. Voglio i miei anni di lavoro in Italia. È il mio diritto”  (Jokomunitar me aftësi të kufizuara. Dua vitet e mija të punës në Itali. Është e drejta ime). Është ajo çka shkruhet në pankartën e madhe që ka varur në qafë i moshuari që të martën, më 3 maj, nën diellin e nxehtë të Romës qëndron më këmbë përpara selisë së Dhomës së Deputetëve.

Zotëria është Madrit Maliqati, 70-vjeçar nga Kavaja, invalid, që pasi ka punuar për 12 vjet me kontratë të rregullt pune në veri të Italisë në vitin 2005 është kthyer përgjithnjë në Shqipëri për arsye shëndetësore. Këto ditë ka ardhur në Romë për të protestuar pasi e ka bërë për javë të tëra vitin e shkuar para ambasadës italiane në Tiranë pa arritur asnjë rezultat. E ajo që kërkon është e thjeshtë dhe e drejtë: t’i kthehen kontributet e derdhura gjatë 12 vjetëve të punës në Itali ose ato vite pune t’i mblidhen me 27 të tjerat gjatë të cilave ka punuar si mekanik në Kavajë para viteve ’90 e për të gjitha bashkë të marrë një pension dinjitoz në Shqipëri ku mendon të kalojë pleqërinë. Fatkeqësisht për të, asnjë prej këtyre opsioneve nuk parashikohet nga normativat në fuqi të Italisë e as nga marrëveshje të mundshme dypalëshe

Së pari, edhe pse ligji italian parashikon që “në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi i huaj me kontratë jo sezonale ruan të drejtat shoqërore e të sigurisë sociale të maturuara në Itali e mund të përfitojë këto të drejta edhe në mungesë të marrëveshjeve të reciprocitetit me vendlindjen”, bën dallim të rëndësishëm mes pensionit të përllogaritur sipas sistemit të kontributeve dhe atij të përllogaritur mbi bazën e rrogës.

Në rastin e parë, “punonjësit jokomunitarë të punësuar nga 1 janari 1996shkruhet në faqet internet të INPS-it – në rast riatdhesimi mund të marrin pensionin e pleqërisë (të përllogaritur mbi bazë të kontributeve ) me mbushjen e 66 vjeçëve dhe pavarësisht nëse kanë plotësuar apo jo kriteret e parashikuara (pra edhe nëse kanë derdhur më pak se 20 vjet kontribute)”. Në përgjithësi, nuk është keq të dish që nëse kthehesh përfundimisht në Shqipëri, në moshën 66-vjeçare mund të kërkosh atë pjesë të pensionit të maturuar në Itali, edhe pa mbushur 20 vjet vjetërsi në punë, por gjithmonë nëse je punësuar pas 1 janarit 1996. Fatkeqësisht nuk është rasti i 70-vjeçarit Maliqati që proteston në Romë.

Në rastin e dytë, “punonjësit jokomunitarë të punësuar para vitit 1996, në rast riatdhesimi mund të fitojnë pensionin e pleqërisë (të përllogaritur mbi bazë të rrogës apo me sistemin e përzier) vetëm kur mbushin 66 vjeç e me 20 vjet kontribute”. E pikërisht në këtë kategori punonjësish bën pjesë edhe Madrit Maliqati, ndaj edhe nuk arrin të marrë asnjë dyshkë pension edhe pse ka derdhur 12 vjet kontribute.

Nga ana tjetër, mes Shqipërisë e Italisë nuk ekziston ajo marrëveshje e bekuar që do të zgjidhte problemin e mijëra e mijëra punonjësve, qofshin italianë apo shqiptarë, që kanë vite pune në dy anët e Adriatikut. Është fjala për marrëveshjen dypalëshe të mbrojtjes sociale që, për qëllim pensioni, mundëson mbledhjen e viteve të punës që një person ka kryer në Shqipëri e Itali. Që do të ishte i vlefshëm edhe për rastin e Maliqatit që sot, me 39 vjet punë (27 në Kavajë e 12 në Alto Adige) do të kishte një pension dinjitoz.

E kjo marrëveshje është akoma shumë larg nënshkrimit. Një hap i parë, i vogël dhe i ndrojtur u hodh nga mesi i majit në Romë kur ministri shqiptar i Punës, Erion Veliaj, takoi ministrin italian Giuliano Poletti. “U thye një tabu” tha me optimizëm Veliaj, por për të qenë realistë, duhet të themi që rruga deri në lidhjen e marrëveshjes dypalëshe mbi pensionet duket e gjatë e plot pengesa.

Në një prej sindikatave italiane, ku çështjen e pensioneve në Itali e njohin mirë, gjatë një takimi na pohuan “do të jetë më e lehtë që Shqipëria të hyjë në Evropë, e për rrjedhojë të gëzojë të drejtat komunitare edhe mbi pensionet, sesa të ketë marrëveshjen dypalëshe me Italinë”. Për fatin e keq të Maliqatit e të gjithë brezit të tij, do të shtonim…

Keti Biçoku / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Madrit Maliqati davanti al Montecitorio: “Voglio la pensione per gli anni di lavoro in Italia”

Fyle: KE rekomandon statusin për Shqipërinë pa asnjë hezitim