Më 21 qershor, ora 15.30 në Via dei Salici 9
Shoqata “Ura e Bashkimit”, Komuna e Legnanos, Shtëpia e Shërbimit Vullnetar dhe Qendra e Re Sociale Mazzafame organizojnë të shtunën më 21 qershor koncertin e pianistes 16-vjeçare Gaia Sokoli. Recitali do të mbahet në orën 15.30 në Qendrën Mazzafame (Via del Salici 9, Legnano). Qëllimi i veprimtarisë – thonë nga shoqata Ura e Bashkimit – është promovimi i talenteve të reja mes të rinjve të brezit të dytë (bij imigrantësh të lindur apo të rritur në Itali) pjesë e të cilit është edhe Gaia, “sepse janë pikërisht këta të rinj urë bashkimi mes kulturave, komuniteteve e brezave të rinj që rriten në Itali”.
Gaia Sokoli jeton me familjen e saj në Alserio të Comos, emigrantë në Itali disa vjet para se të lindte vajza. Në vitin 2010 kur Shqiptariiitalise.com e intervistonte për të parën herë, Gaia ndiqte me korrespondencë edhe Konservatorin e Mantovës për t’u diplomuar në piano, sot 16-vjeçarja studion në Akademinë e Pianos “Incontri col Maestro të Imolas.
Që e vogël ka treguar një interes të madh për muzikën, në veçanti për pianon. Duket se është e lindur për t’i rënë asaj me mjeshtëri të rrallë, edhe pse këtë anë të saj e ka mësuar rastësisht, kur një mësuese e shkollës fillore “Aldo Moro” të Alserios ia vuri në dukje. Në vitin 2006, në moshën tetëvjeçare ka nisur studimin e pianos dhe vetëm pas pak muajsh studime, nga viti 2007, në të gjitha konkurset, garat kombëtare e ndërkombëtare ku ka marrë pjesë, vajza është vlerësuar me çmimin më të lartë të jurive dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut. Sot koleksionon rreth 50 çmime të para, mes të cilave edhe një të marrë në New York kur ishte vetëm 13 vjeçe.
Më 20 qershor në orën 21.00, Gaia do të marrë pjesë edhe në Festën e Migrantëve, “Made in Italy. Vivere G2”, që do të mbahet në Bibliotekën e Legnanos. Festa organizohet nga Stranitalia, e këtë vit u dedikohet pikërisht brezat e dytë.