Nesër, më 28 qershor nis muaji më i rëndësishëm për besimtarët myslimanë, ai i agjërimit, purifikimit dhe lutjeve. UAMI uron të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë
Romë, 27 qershor 2014 – Do të nisë nesër Ramazani, muaji i agjërimit, purifikimit dhe lutjeve për besimtarët myslimanë.
“Me rastin e ardhjes sё muajit tё madhёrueshёm tё Ramazanit, – shkruan sot Bashkimi i Shqiptarëve Myslimanë në Itali, UAMI, në një komunikatë me të cilën kujton fillimin e muajit të Ramazanit– u përcjellim urimet mё tё sinqerta të gjithё besimtarёve myslimanё shqiptarё nё Itali dhe kudo nё botё. Qoftё ky njё muaj mёshire, falje dhe shpёtimi. Zoti pranoftё sakrificёn dhe mundёsoftё nё kёtё muaj tё begatё bashkimin, vёllazёrimin dhe dashurinё midis muslimanёve shqiptarё nё Itali dhe kudo nё botё”.
Pikërisht gjatë këtij muaji, i nënti i kalendarit islamik, që profeti Muhamet mori Kuranin nga kryengjëlli Gabriel. Mbajtja e muajit të agjërimit është një nga shtyllat e fesë myslimane, bashkë me pelegrinazhin në Mekë, lëmoshën, ushtrimin e fesë dhe lutjet e përditshme.
Ramazani nuk bie gjithnjë në të njëjtën periudhë të vitit, sepse ndjek kalendarin hënor, dhe është veçanërisht i vështirë kur bie në verë si këtë vit. Besimtarët nuk mund të fusin në gojë as ujë e as ushqim, nga agimi deri në perëndim. Përjashtime parashikohen vetëm për të sëmurët, fëmijët, gratë shtatzëna apo që japin gji dhe të moshuarit që do të vinin në rrezik shëndetin po ta respektonin.
Para se dielli të lindë lejohet të hahet një vakt i lehtë (syfyr) e më pas duhet pritur nata për të thyer agjërimin (me iftarin), kur hahet një vakt i bollshëm në atmosferë feste dhe i paraprirë nga një lutje e gjatë. Agjërimi shoqërohet duhet të shoqërohet edhe me “një sjellje të mirë” pa mendime e veprime të këqija, pa marrëdhënie seksuale dhe pa vese si ai i duhanit. Me pak fjalë gjatë kësaj periudhe kërkohet të pastrohet trupi e shpirti.
Natyrisht në vendet myslimane këto tridhjetë ditë janë shumë më të ndiera se në Itali, por edhe këtu Ramazani po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Sipas statistikave, në Itali ka 1 milion e 700 mijë myslimanë, sumica e të cilëve janë imigrantë e bijtë e tyre. Edhe ata do të agjërojnë gjatë ditës, do të mblidhen në darkë me miq e të afërm e do të mbushin xhamitë për Bajramin e madh, festa që mbyll muajin e Ramazanit.