in

Barroso në konferencë shtypi me Ramën: Reforma dhe konsensus politik

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka shkuar sot në Tiranë për një vizitë zyrtare, e fundit si President i Komisionit Evropian, post që pritet ta marrë ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker. Kjo vizitë është e dyta që ai bën në Shqipëri, pas tetë vjetëve nga e para. Duhej të vinte edhe në maj të vitit 2011, por për shkak të ituatës së tensionuar politike që pasoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, ajo vizitë u anullua.
Ai nisi vizitën në kryeqytetin shqiptar me një takim me kryeministrin Rama pas të cilit mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi

“Jam i lumtur që gjendem sot këtu t’u uruar të gjithë shqiptarët për vendimin e Bashkimit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. KE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të arritur objektivin strategjik dhe historik, atë të integrimit në Bashkimin Evropian” deklaroi Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.
“Dhënia e statusit të vendit kandidat është një sukses i madh për Shqipërinë. Ky ishte një lajm i mirë për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore dhe tregon që procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe dinamik. Po ashtu, që BE i mban anagazhimet e veta strategjike me ecjen përpara kur vendet tona partnere japin rezultate”.

Duke ururar qeverinë, të gjitha palët, forcat politike, që kanë kontribuar për këtë moment të rëndësishëm, por mbi të gjitha popullin shqiptar, Barroso tha se “ky është suksesi juaj i përbashkët, pra statusi i vendit kandidat do të thotë që njihet angazhimi dhe hapat konkrete te ndërmarra nga qeveria kohët e fundit në mënyrë që të çohet më tej procesi i reformave për BE-në, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për reformën në drejtësi”.

“Kam besim se ky kapitull i ri do t’i japë një shtysë tjetër Shqipërisë për të trajtuar sfidat e reja me vendosmëri e energji. Për të ecur më tej në rrugëtimin drejt BE-së, Shqipëria duhet të vazhdojë të intensifikojë qasjen sistematike për reformat duke u përqendruar tek prioritetet kyçe në mënyrë të veçantë, në respektimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformën në gjyqësor dhe jam shumë i kënaqur që shoh që qeveria i ka këto prioritete”, deklaroi ai duke nënvizuar se për të pasur sukses, integrimi evropian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me operacion në Lazarat, Barroso tha se “kjo ka qenë një çështje shqetësimi për shumë nga kryeqyetet eruopiane, problemi i prodhimit të drogës dhe trafikut në Shqipëri ka qenë i njohur dhe serioz. Ne i kemi njohur veprimet pozitive edhe në raportin e qëershorit që bëmë dhe kjo është ilustruar akoma më mirë nga operacionet policore në plantacionet e fshatit Lazarat dhe unë e kam uruar kryeministrin për këtë operacion të suksesshëm në atë zonë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi i jep besueshmëri dhe kredibilitet përpjekjeve për të luftuar kundër prodhimit të drogës dhe trafikimit”.

“Lufta kundër drogës duhet të jetë një përpjekje kombëtare dhe politizimi i saj duhet të shmanget. Agjencitë e zbatimti të ligjit duhet të bëjnë detyrat e tyre dhe është shumë e rëndësishme të ketë konsensus në Shqipëri për t’i dhënë fund kultivimt dhe trafikimit të drogës”, theksoi Barroso duke shtuar se ky angazhim duhet të vazhdojë edhe në ardhmen.

Rama: E ardhmja e Ballkanit është në BE

“Fatkeqësisht, vizita e parashikuar tre vite më parë e Presidentit të Komisionit nuk u realizua, por fatmirësisht doli më mirë se u krijua mundësia që Presidenti ta vizitojë Shqipërinë, tanimë si një vend që ka një status të veçantë, statusin e vendit kandidat për BE”. – nisi fjalën e tij pas falënderimeve kryeministri Rama

“Sigurisht që, ky ka qenë një proces i gjatë, një proces jo i lehtë, një proces që nuk do të ishte kurorëzuar me sukses, pa punën e jashtëzakonshme dhe rezultatet e dukshme të qeverisë sonë në këta 9 muaj. Por që, nga ana tjetër nuk është një proces që i takon vetëm këtyre 9 muajve, por është një proces që kontributi, puna dhe rezultatet në vite, kanë qenë të domosdoshme”.

“Unë e sigurova Presidentin- vazhdoi Rama – se ne nuk e marrim statusin e vendit kandidat si një trofe. As nuk e konsiderojmë një arritje të njëanshme, apo aq më pak një arsye për të pasur një pozicion që ndan, por e marrim statusin si një vlerësim për çka kemi bërë dhe si një shkallë të re përgjegjësie për çka na mbetet të bëjmë. E, që padyshim është pjesa më e vështirë, ajo që mbetet të bëjmë. Sepse duam të bëhemi anëtarë të BE, por për këtë kemi ende detyra të vështira shtëpie për të realizuar”.

“Unë pata kënaqësinë ta informoj për kthimin e ekonomisë në shinat e një progresi të qëndrueshëm dhe për rritjen ekonomike të vazhdueshme që ne presim, duke filluar nga ky vit dhe në vitet në vijim. Nga ana tjetër e sigurova Presidentin Barroso për vendosmërinë tonë që të kryejmë të gjitha ato reforma të shtyra e të zvarritura vit pas viti, ashtu sikundër e informova për vendosmërinë tonë që të kryejmë një orë e më parë reformën administrative territoriale si një bazë e re shumë solide për të shkuar më tutje me procesin e integrimit, gjithashtu. Sigurisht, qoftë nëpërmjet ‘Dialogut të Nivelit të Lartë’ që do të vijojë në muajin shtator, qoftë nëpërmjet Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, një forum i posaçëm, ku të gjithë aktorët dhe observatorët  e procesit do të punojnë së bashku për të përshpejtuar hapat drejt anëtarësimit të plotë, – ne jemi të përkushtuar që jo vetëm të përfshihemi, por të krijojmë kushte për gjithëpërfshirje të plotë dhe cilësore”.

Duke folur për vizitën e tij në Beograd, Rama i deklaron Barrosos “vullnetin tonë për të marrë një rol të ri në rajon dhe për të bashkëpunuar me të gjithë vendet e tjera të rajonit, që BE të bëhet gjithmonë e më i vetëdijshëm se Ballkani ka nevojë për BE, por aq sa BE-ja ka nevojë për Ballkanin. Dhe e ardhmja e Ballkanit është në BE, por nga ana tjetër e ardhmja e BE-së, nuk mund të kuptohet pa Ballkanin si pjesë e BE-së”.

Së fundi kryeministri i ka shprehur “gatishmërinë për ta mikpritur si një mik tanimë të paharrueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas muajit nëntor, kur do të jetë më i lirë për të udhëtuar dhe për të parë gjëra që akoma nuk i ka parë siç është p.sh. bukuria e madhe e këtij vendi që kemi vendosur ta bëjmë të jetë një vend me të cilin Europa të bjerë në sevda”.

Barroso në Gjykatën për Krimet e Rënda: Përqendrohuni te krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta

Barroso nderohet me dekoratën e lartë të ‘Flamurit Kombëtar’