Nga vjeshta do t’u drejtohet italianëve. I lindur vetëm pak kohë më parë nga sipërmarrësi italian Francesco Becchetti, ka spikatur për afrimin e personazheve të njohura të televizionit italian: nga Barbara d’Urso që drejtoi një emision politik para zgjedhjeve te Alessio Vinci, sot drejtor editorial i kanalit televiziv. Ndoshta që në fillim me synimin që një ditë t’i drejtohej jo vetëm publikut shqipëri por edhe atij në Itali.
Romë, 15 korrik 2014 – Nëse bluzat që blejmë në Itali janë prodhuar në Indi apo Kinë, kur flasim për probleme me faturat e gazit e dritës, na përgjigjet një person në Shqipëri apo Rumani, shumë shpejt do të ndjekim edhe transmisione në italisht që trajtojnë tema italiane e që i drejtohen publikut italian por që do të përgatiten në studiot, fjala e fundit e teknologjisë, e nga të punësuarit që ndodhen në Tiranë. E thotë Alessio Vinci i Agon Channel në Corriere della Sera: “Nga vjeshta, mes kanaleve të sistemit digjital tokësor të Italisë do të transmetojë edhe Agon Channel”.
Që në lindje Agon Channel ishte goxha “italian”: nisi transmetimet në Shqipëri por pronari i saj është Francesco Becchetti, sipërmarrës nga Roma që në Shqipëri kish shkuar për ngritjen e një impianti për riciklimin e plehrave në Kashar, kur si administrator i Albaniabeg e grupit “Sorain Cecchini” lidhi një kontratë me qeverinë Nano. Në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare, Agon Channel thirri nga Italia Barbara D’Urso për të drejtuar emisionin politik “Kontratë për Shqipërinë”. Ç’hynte Barbara D’Urso me politikën shqiptare? Apo pse i kish bërë një intervistë Berlusconit në dhjetor 2012, intervistë që u bë e famshme për pyetjet e vështira që prezantuesja tv i bënte, të tipit: “President, më thoni pak, më jeni fejuar?”. Apo pse duke mos arritur të merrnin Vespën, në programin e të cilit, gjithnjë Berlusconi nënshkroi vite më parë kontratën me italianët, fakt nga merrte titullin programi i Agon Channelit, iu drejtuan një fytyre të njohur të televizionit të Mediasetit që duke qenë “e familjes” Berlusconi njihte mirë politikën italiane e ndërkombëtare?
Ndër “blerjet” e Agon Channel-it, më e bujshmja ishte ajo e gazetarit Alessio Vinci, që ka punuar me CNN dhe në Mediaset, e prej më shumë se një viti është drejtor editorial i kanalit të Becchettit. Mes “italianëve” të Agon Channelit është edhe Kledi Kadiu, që në Itali është i njohur më shumë se edhe italianët dembabadem. Për t’i thënë të gjitha, Agon Channel nuk ka vetëm njerëz italianë nga pronari te drejtori editorial, kohët e fundit është akuzuar se ndonjë emision “origjinal” i tij ngjan ca si shumë me ndonjë tjetër më të vjetër italian.
Por ajo që vë në dukje edhe Vinci në shkrimin e Leonard Berberit në Corriere della Sera është se “krahu i vërtetë i punës”, redaktorët, teknikët etj janë shqiptarë, janë low cost, pra me leverdi.
Pas delokalizimit të fabrikave e të call center-ave mbërrin edhe delokalizimi televiziv. “Në tetor, nëntor, Agon Channel do të ndezë sinjalin nga kryeqyteti shqiptar duke e drejtuar në Itali – shpjegon Corriere della Sera – Duke shënuar kështu një kthesë epokale: realizimin e transmisioneve në cilësi të lartë e me çmime shumë të ulëta”. Akoma nuk dihet numri i kanalit, por frekuencat janë blerë. Madje Agon Channel ka nisur sot në Bolonjë për ta mbyllur në 31 gusht në Trieste përzgjedhjet e fytyrave të reja të kanalit: “Kërkojmë njerëz normalë për reality e serie televizive” shpjegon Vinci për Corriere që nuk përjashton mundësinë që mes “njerëzve normalë” të fusë edhe personazhë shqiptarë sepse “shumë prej kolegëve të Tiranës flasin shkëlqyer italisht”. Veç serieve e reality, Agon Channel do të ofrojë edhe emisione informative të përgatitura jo nga redaksi të mëdha por nga “kronistë që dinë të realizojnë e të montojnë vetë një kontribut” në kërkim edhe të të cilëve ai është vënë. Me tri fjalë, kanali i ri televiziv i Italisë i bërë në Tiranë do të jetë: “I përgjithshëm, kombëtar, ndëraktiv”
“Do të jemi Ryanair e televizionit italian” thotë Vinci që shpjegon se “Në Shqipëri kemi investuar në teknologjinë më të përparuar, kemi realizuar studio të fjalës së fundit dhe personeli kushton shumë më pak. Arrihet të prodhohet një program me cilësi me një të dhjetën e kostos”.
K.B. Shqiptari i Italisë
Lexo artikullin e Leonard Berberit në Corriere della Sera: In arrivo la tv fatta in Albania