Me Blue Panorama, 2 herë në javë
Romë, 14 korrik 2014 – Një tjetër aeroport italian lidhet sërish me Tiranën pas falimentimit të Belle Air. Nga 25 korriku Blue Panorama, shoqëria italiane e fluturimeve low cost Blu Express, ka shtuar edhe Anconën mes aeroporteve italiane që lidhen me Rinasin. Në fakt nga kjo datë, çdo të premte e të hënë avionët Blu Express do të fluturojnë nga Rinasi në Ancona në orën 17.10 dhe nga Ancona në Rinas në 19.00. Udhëtimi do të zgjasë rreth 1 orë e 20 minuta.
Me falimentimin e Belle Air-it në fund të nëntorit, Blue Panorama ishte e para që “trashëgoi” udhëtarët e lënë në tokë nga kompania shqiptare (kundrejt një çmimi “të favorshëm”) e që menjëherë nisi fluturimet drejt Rinasit nga disa aeroporte italiane. Ancona është aeroporti i tetë italian që do të lidhet me Tiranën me fluturimet e Blue Panoramës: deri më sot fluturimet e saj lidhin me aeroportin shqiptar aeroportet e Milano Malpensa, Bergamo Orio al Serio, Venezia, Verona, Bologna, Pisa dhe Roma Fiumicino.
Pas Blue Panoramës nisën fluturime drejt Shqipëririsë, apo shtuan ato ekzistueset edhe kompani të tjera si Alitalia dhe Air One.
Ndërkaq në Shqipëri ka lindur në dhjetorin e shkuar një kompani e re, FlyAlbania, pjesë e grupit të transportit ajror Kosova Airlines, Eurokoha Reisen. Në bashkëpunim me partnerin italian, Livingston Air, ajo lidh Rinasin me Bolonjën, Milano Malpensa-n dhe Veronën.