Nga Eugjen Merlika
Në panoramën tepër të trazuar të ngjarjeve ndërkombëtare të këtyre ditëve, kur temperatura politike rrezikon të arrijë pikën e vlimit në zonat nevralgjike të Lindjes së Mesme, lajmi që befason më shumë e që të detyron të përsiatësh gjatë, për të veçantën e tij, edhe pse nuk përmban jetë njerëzore të asgjësuara barbarisht, është njoftimi për shtypin, i datës 10 korrik, i zëdhënësit të Kancelares gjermane, Stefen Seibert, mbi kërkesën drejtuar shefit të CIA-s në Berlin, për t’u larguar nga territori i shtetit gjerman. “Kërkesa është paraqitur – tha ai – në dritën e hetimit në vazhdim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të çështjeve të ngritura prej muajsh në lidhje me veprimtarinë e Shërbimeve të fshehta amerikane në Gjermani”.
Njoftimi na kthen mbrapa në kohë, kur Evropa ishte e ndarë në Lindje e Perëndim, kur të tilla njoftime ishin lajme të zakonshme, madje nuk përbënin më as lajm. Është e para herë në historinë e Evropës së mbas luftës së dytë botërore, që një dukuri e këtillë shfaqet ndërmjet dy Vendeve kryesore të NATO-s. Njoftimi, më shumë se një rrufe në qiell të kthjellët, ishte një ripohim i një procesi sa të habitshëm aq dhe shqetësues në marredhëniet mes aleatëve perëndimorë, ndërmjet dy më të rëndësishmëve të tyre. Habia rrjedh nga fakti se përballohemi me një fakt, deri para më pak se një viti të padëgjuar, atë të përgjimeve të shërbimeve të fshehta në vetë NATO-n, ndërmjet Vendeve të saj.
Kur në tetor 2013 u bë e njohur se edhe telefoni vetiak i Kancelares gjermane, Angela Merkel, ishte nën kontrollin e shërbimeve të fshehta amerikane, goditja psikologjike për cilindo që i ka besuar vlerave të botës perëndimore, sidomos për ata shumë milionë që jetonin në anën tjetër të “perdes së hekurt” ishte me të vërtetë e madhe. Atëherë Presidenti Obama u mundua t’a mbulojë me një tis parëndësie dukurinë skandaloze, duke premtuar solemnisht se ajo ishte një “incident i rastit”, që nuk kishte peshë në marredhëniet mes dy Vendeve e që nuk do të përsëritej më. Kanë kaluar vetëm dhjetë muaj e në Gjermani arrestohen dy vetë që punojnë në shërbimet e fshehta gjermane e që paditen se kanë dhënë dokumenta atyre amerikane. Pra çështja vazhdon të ketë zhvillimet e veta, ashtu siç ndodhte më shumë se njëzet vite më parë ndërmjet BS dhe Vendeve të NATO-s.
A është praktikë normale e punës së shërbimeve të fshehta veprimtaria e tyre ndërmjet aleatëve? Fakti se në dhjetë muaj nuk u bë asgjë për të shmangur dukuri të tilla në marredhëniet mes SHBA-së dhe Gjermanisë, vërteton se konsiderohet e tillë, së paku nga ana amerikane. Më e pakta që mund të thuhet në lidhje me këtë dukuri të pazakontë është se ajo mbjell farën e mosbesimit ndërmjet aleatëve, me një dëm shumë të madh, jo vetëm për funksionimin e Aleancës, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne, por edhe për pasojat që do të ketë në rrëzimin e disa bindjeve, të ngulitura thellë mbi etikën dhe moralin e politikës.
A mos vallë mosbesimi ndaj disa aspekteve të politikës gjermane, si kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve në Irak apo në Libi e një lloj përparësie marredhënieve gjermano-ruse kanë krijuar tek Administrata amerikane idenë se aleati evropian nuk është më i besueshëm? Nëse ishte kështu a nuk mund të diskutoheshin këto probleme ndërmjet drejtuesve të shteteve, në frymën e mirëkuptimit e të besimit të ndërsjelltë, pa vënë nën kontroll telefonin e Kancelares gjermane e pa rekrutuar si agjentë punonjësit e shërbimit të fshehtë të atij Vendi?
Thuhet se në Uashington janë tepër të habitur e të zemëruar me veprimtarinë e shërbimeve të fshehta. “Është gjëja më e marrë e kryer nga një agjenci spiunazhi, prej budallenjsh të vërtetë” shkruhet në artikullin kryesor të Washington Post. Por nuk kuptohet mirë nëse zemërimi i Shtëpisë së Bardhë rrjedh nga dështimi dhe zbulimi i operacionit, apo nga zbatimi në mënyrë të pavarur nga organet e CIA-s. Në të dy rastet Presidenti Obama dhe vartësit e tij nuk bëjnë një figurë të bukur në opinionin publik botëror, kryesisht n’atë gjerman.
Nëse e vërteta është se shërbimet kanë vazhduar praktikën në kokën e tyre (gjë vështirësisht e besueshme), faji nuk kalon thjesht tek ndonjë shef që mund të largohet nga shërbimi, por përgjegjësia bie drejt për së drejti mbi organet e larta drejtuese, pa përjashtuar as Presidentin që duhej të ishte treguar shumë herë më i vëmëndshëm mbas skandalit të tetorit 2013 me celularin e Merkel-it. Nëse, në të kundërt, nuk bëhet fjalë për “pakujdesi”, por për një vijë politike që mëton t’i verë Shtetet e Bashkuara në një pozitë mbizotërimi, deri në fyerje, kundrejt aleatëve, megjithë meritat e mëdha e të padiskutueshme të tyre në mbrojtjen e botës së lirë e në zhvillimin e saj gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, mendoj se gjindemi para një sinjali tepër shqetësues, jo vetëm për Aleancën atllantike, por për gjithë njerëzimin.
Edhe duke mbajtur parasysh të veçantën e 11 shtatorit 2001, mbas të cilit “bota nuk do të ishte më ajo e para”, pra ndikimin tejet të fuqishëm në mendësinë, zgjedhjet politike e strategjinë globale të ShBA-së, shfaqja e arrogancës kundrejt aleatëve, në çfarëdo forme nuk mund të përligjet. Lufta kundër terrorizmit, në të gjitha shfaqjet e tij, është një detyrë e gjithë botës së qytetëruar dhe aleatët e Amerikës, prej vitesh, po qëndrojnë në të njëjtën llogore me të në Afganistan, por fakti që “kryetari” i sotëm i “Kalifatit” siro-iraken, ka qenë për katër vjet në burgjet e CIA-s në Irak dhe është lënë i lirë, tregon mangësi në vetë sistemin amerikan.
Nuk kuptohet përse Shtëpia e Bardhë ka bërë veshin e shurdhër, gjatë gjithë këtyre muajve, kundrejt kërkesës gjermane për të nënëshkruar një “pakt për mos spiunim të ndërsjelltë”, pakt të cilin SHBA e kanë nënëshkruar vetëm me Australinë, Britaninë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Si duket, Evropa vazhdon të shihet me dylbitë e gjysmës së parë të shekullit XX nga Administrata amerikane.
“Besimi ynë në Shtetet e Bashkuara del thellësisht i tronditur nga kjo çështje” u shpreh Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, sepse agjentët amerikanë duhet të kuptojnë “se jo çdo gjë që është e mundur është politikisht e pranueshme”. Besoj se është një sintezë mjaft e goditur e thelbit të problemit deklarata e ministres gjermane. Politika me hipokrizinë e saj do të gjejë mënyrën për t’i vënë kapakun atij e me ndonjë sakrificë të ndonjë “koke turku” do të arrijë t’a mbyllë. Problemet e botës janë kaq të shumta e të mprehta, bashkëpunimi mes SHBA dhe Gjermanisë është kaq i domosdoshëm sa që përpjekjet e të dy palëve për normalizim zyrtar do të jenë të dukshme, por rikthimi i besimit të ndërsjelltë do të jetë një proçes i gjatë e i vështirë.
Po ashtu, e vështirë do të jetë edhe për vëzhguesin e thjeshtë, sidomos për atë që vjen nga përvoja e shoqërive komuniste, që gjatë gjithë jetës ka krijuar në mëndje një klishe për Amerikën, atë të një Vendi të madh, i cili jo vetëm ka shpëtuar botën nga rreziku nazifashist, por ka qenë edhe mburoja më e sigurtë e lirisë dhe demokracisë në përballjen me të keqen e shekullit të shkuar, komunizmin. Në këtë klishe Vendi simbol i demokracisë ishte dhe “zëdhënësi” i Ungjillit të ri të shoqërisë njerëzore bashkëkohore.
Ngjarja për të cilën fola ndihmon fuqimisht në fashitjen e përfytyresës idealiste mbi sistemin e vlerave t’asaj shoqërie, në shëmbjen e iluzioneve me të cilët kemi jetuar gati një gjysëm qindvjeti. Ajo na kthen në një realitet të zymtë, në të cilin një pjesë e tabuve të krijuara në një jetë të mbyllur e që shërbenin për të ushqyer shpresat e mbijetesës, janë të prirura për t’u braktisur. Ky fakt mund të ketë vlerën e tij, sepse na kthen në banorë të tokës nga ëndërrimtarë të qiellit. Më mirë vonë se kurrë.
Korrik 2014