in

Marrëveshja italo-shqiptare për konvertimin e patentave skadon më 15 gusht

Nga ambasada shqiptare në Romë sigurojnë se marrëveshja po përtërihet, por deri më sot kjo gjë nuk ka ndodhur

Romë, 14 gusht 2014 – Marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë për konvertimin e patentave të njërit vend në tjetrin, hyri në fuqi më 15 gusht të vitit 2009. Falë kësaj marrëveshjeje, të gjithë shqiptarët që kanë patentë të marrë në vendlindje para se të vendosin rezidencën në Itali, brenda vitit të parë të qëndrimit mund ta konvertojnë atë në një italiane. Edhe pse kjo marrëveshje është gjithnjë e nevojshme për shqiptarët që vijnë rishtaz në Itali (kur janë në moshë madhore e të pajisur me patentë shqiptare), me rënien e përvitshme të ardhjeve, bie edhe numri i atyre që kërkojnë konvertimin.

E vlefshme për 5 vjet, marrëveshja skadon nesër. E duke qenë se këto ditë gushti zyrat publike duket sikur janë në letargji, është e pamundur të mësosh ç’do të ndodhë nga e hëna.

Të vetmet përgjigje arrijmë t’i marrim nga Ambasada e Shqipërisë në Romë, edhe pse tani për tani nuk dinë të na thonë shumë, veçse të sigurojnë: marrëveshjes do t’i shtyhet afati. Madje në përgjigjen e fundit të ambasadës, pak ditë më parë, shkruhej se “ministritë e dy vendeve kanë rënë dakord dhe pritet që para datës 14 të shkëmbejnë notat zyrtare”. Deri në këto çaste që shkruajmë duket se “notat zyrtare” ende nuk janë shkëmbyer.

Prej disa ditësh, redaksia më kot përpiqet të lidhet edhe me zyrat e ministrive të Transporteve, më saktë me Drejtorinë e përgjithshme të shërbimeve të transportit rrugor në Tiranë dhe me Ufficio relazioni con il Pubblico në Romë. Askush nuk u përgjigjet numrave të telefonit e as postës elektronike të dërguar (të shpresojmë që së shpejti do të zgjohen e do të kemi ndonjë lajm). Ndërkaq në faqet zyrtare të ministrisë së Transporteve italiane vazhdon të shkruhet që konvertimi i patentave shqiptare mund të bëhet deri më 15 gusht 2014.

Duke ditur me siguri se puna për përtëritjen e marrëveshjes ka nisur shumë vonë, pas mesit të korrikut, ndoshta me vonesë do të arrijë edhe përgjigjja dhe mund të ketë një periudhë ndërprerjeje të marrëveshjes. Shpresohet gjithsesi të jetë e shkurtër e që përtëritja apo shtyrja e afatit të vlefshmërisë së marrëveshjes të mos kërkojë kohën që u desh ku ajo u lidh për herë të parë, kur nga nënshkrimi (më 27 tetor 2008) deri në ardhjen në fuqi (më 15 gusht 2009) kaluan muaj.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shënime në shoqërinë e gjinkallës

Kërkon seks me të miturën në këmbim të punës. Arrestohet një sekretar i PS-së në Sarandë