in

Na fal vajzë që të lamë në dorë të pushtetit të Koços!

Qytetarët e Sarandës nuk kanë votuar për perversin por për Partinë Socialiste. Ata nuk kanë sot një shpjegim pse fatet e qytetarëve, partia e tyre ia besoi një perversi.
Skandali hedh poshtë atë që qeveria ka reklamuar për rekrutimet në bazë, standardet e rekrutimit dhe cilësinë e atyre që e bëjnë rekrutimin. Perversi nuk ishte punonjës i një zyre pune në Sarandë, por punonjës i zyrës së Koços, i cili formalisht është një vullnetar pa pagë, por që ka pushtet më shumë se ai që dergjet në zyrat shtetërore të punës.
Nga Mero BAZE

Nuk e konsideroj fajtor Koco Kokëdhimën për atë që ka bërë një ndihmës i tij. Më ndodhi që u informova për përmbajtjen e bisedës perverse qysh në mëngjes dhe kisha kohë t’i kaloja emocionet që të sjell ardhja e zorrëve në gojë, kur dëgjon një pervers 60-vjeçar të flasë për seks me një të mitur në kushtet e një skllavërie pushteti. Por pasi lexova reagimin e zotit Kokëdhima pas ngjarjes, ka disa gjëra për të cilat duhet të diksutohet në mënyrë përfundimtare për mënyrën se si e përdor pushtetin ky deputet dhe çfarë pasojash shkakton.        

Së pari, Kokëdhima nuk ka asnjë arsye të na shpjegojë që perversi ka qenë oficer i zoti apo komandant brigade, pasi perversiteti nuk ka lidhje me zanatet, por me karakterin e njeriut. Ai është një pervers pedofil, nga i cili duhet distancuar jo për katër minuta, sa ç’iu desh Berishës për t’u distancuar nga Ylli Pango, por për katër sekonda.

Kokëdhima duhet të denonconte krimin pasi e mori vesh dhe t’ia dorëzonte policisë kriminelin. Pas kësaj, duhet të kërkonte një ndjesë të thellë publike, jo pse ishte fajtor, por se është përgjegjës për njerëzit që na ka imponuar të na qeverisin fatin tonë.    

Qytetarët e Sarandës nuk kanë votuar për perversin, as karrierën e tij si ushtarak dhe as për veset e tij si pedofil, por për Partinë Socialiste. Ata nuk kanë sot një shpjegim pse fatet e qytetarëve, partia e tyre ia besoi një perversi. Sido që të jetë, e vetmja gjë që ka kuptim është ndjesa publike. Ajo është shenjë e përuljes dhe bashkim me qytetarët e revoltuar. Justifikimi, qoftë dhe më të shkuarën korrekte si ushtarak, është shenjë justifikimi që të irriton më tepër.     

Së dyti, aludimet se gruaja e keqpërdorur në këtë histori ka pasur raporte të vjetra me zyrën dhe këtë person, nuk është me interes publik dhe është po ashtu një gjest justifikues për krimin. Në rrugë ka hallexhinj, prostituta, njerëz që shesin gjithçka për të jetuar… por ata nuk mund të jenë pre e pushtetit, por objektiv i pushtetit për t’i ndihmuar.           

Kuptohet qartë nga biseda se gruaja ka pasur raporte seksuale me perversin, por dhe ato nën kushte detyruese. Kjo është një skllavëri që në këtë vend duhet të marrë fund, sidomos në emër të pushtetit. Shoqëria jonë i ka toleruar këto gjeste dhe ja ku jemi. Kur Shamikuqja e Kamzës ndeshej me dhunën seksuale të Xhelal Mziut, kryeministri e merrte në mbrojtje dhe Mziu e dhunonte publikisht në sheshe dhe rrugë, derisa u largua nga Shqipëria. Ky model përdhunuesish frymëzon skllavërinë seksuale dhe sot ne gjendemi në kushtet ekstreme kur një 60- vjeçar, në emër të pushtetit informal që ka siguruar, kërkon seks me një të mitur.   

Së treti, skandali nxjerr në pah mënyrën se si ekzekutohet pushteti në bazën e Partisë Socialiste. Pushteti, siç shikohet, delegohet tek disa zyra informale jozyrtare, që presin letra e ankesa dhe i përdorin ato për pushtet personal. Skandali hedh poshtë atë që qeveria ka reklamuar për rekrutimet në bazë, standardet e rekrutimit dhe cilësinë e atyre që e bëjnë rekrutimin. Perversi nuk ishte punonjës i një zyre pune në Sarandë, por punonjës i zyrës së Koços, i cili formalisht është një vullnetar pa pagë, por që ka pushtet më shumë se ai që dergjet në zyrat e rregulluara të punës së Erion Velisë. Kam parë këtë javë shumë letra që kanë shkuar tek kjo zyrë e Kokëdhimës në Sarandë dhe shumë përgjigje inkurajuese, shpesh herë regresive, nga sekretarët e tij vullnetarë. Ka sugjerime shpesh raciste, fetare dhe krahinore të rrezikshme, kur mbeten në duar “vullnetarësh” besnikë, që keqpërdorin pushtetin politik.

Koço Kokëdhima nuk është fajtor pse aty mes vullnetarëve u gjend një pervers seksual, por është përgjegjës për delegimin e pushtetit në rrugë informale, jashtë strukturave të shtetit shqiptar. Për punësime ne kemi zyrat e punës, për ankesa kemi zyrat e Bashkisë, për korrupsion kemi ku denoncojmë në polici… Shteti paralel i zyrës së superdeputetit, është fillesa e problemit që ngjall guximin për të abuzuar deri në një perversitet rrëqethës.

Pushteti i ri i socialistëve ka premtuar modernizimin e shtetit dhe jo krijimin e feudeve informale, ku jeta dhe suksesi i çdo të riu në provincë të varet nga vullnetarët që rrethojnë deputetin. Për këtë, Koço Kokëdhima ka dhënë shembullin më të keq si deputet dhe përfaqësues i Partisë Socialiste, edhe pa ndodhur ky skandal. Ky ishte si një mallkim nga Zoti për arrogancën, delirin e madhështisë dhe mitomaninë e tij si i dërguari i Zotit në Sarandë.

Perversë dhe manjakë seksualë gjen kudo, deri dhe në majat më të larta të pushtetit në gjithë botën, në piramidën e klerit apo botën e artit. Perversiteti është fatkeqësi dhe përgjegjësi personale. Por përpjekja për të justifikuar qoftë dhe formalisht praninë e tij mes nesh, është një kompleks faji, që buron nga diçka e padrejtë, që ka funksionuar tek pushteti yt.         

Ky është rasti ku një socialist me superpushtet, si Koço Kokëdhima, duhet të thoshte vetëm dy fjalë: më falni! Nuk kemi nevojë as të dëgjojmë kush ishte perversi, a ishte a jo kurvë ajo gruaja, pse e inskenoi gazetari skenën etj broçkulla si këto. Për të zbuluar një pervers të tillë unë jam gati të shkel dhe Kushtetutën, pasi heq një qelbësirë nga shoqëria. Dhe Koço Kokëdhima në këtë rast është viktimë e modelit të tij të pushtetit, viktimë e megalomanisë dhe delirit për të prodhuar një pushtet personal në rrugë vertikale, jashtë stukturave formale të pushtetit. Krimi nuk ka ndodhur në zyrat e shtetit. Nuk ka ndodhur në zyrat e punës apo bashkisë. Ka ndodhur në një zyrë private, në një piramidë pushteti personal, që flet në emër të pushtetit që shqiptarët nuk ia kanë dhënë Kokëdhimës si prone private.            

Është kjo arsyeja që ai është përgjegjës dhe duhet të kërkojë falje. Ky nuk është një krim shtetëror dhe nuk implikon zyrtarët e pushtetit. Ky është një krim në emër të pushtetit personal të Koço Kokëdhimës, ndaj ai është përgjegjës pa asnjë justifikim. Koço Kokëdhima duhet të dilte sot me një ndjesë të fortë publike dhe t’i thoshte zonjës dhe vajzës së saj të mitur: Më falni që ju lashë në dorë të një perversi.         

Meqë ai nuk po kërkon falje, meqë ai nuk po i thotë të miturës 14-vjeçare më fal që të lashë alternativë në këtë jetë perversin 60-vjeçar, po kërkoj unë ndjesë në emër të tij, si dikush që kam ndihmuar të vijë ai në pushtet. Po i kërkoj falje vajzës 14-vjeçare, e cila është më e vogël se djemtë e mi. Më fal zemër e vogël që të lashë në dorë të pushtetit personal të Koços se ishte diçka që nuk ma kishe kërkuar dhe nuk ta kisha premtuar. Pushteti i socialistëve ndoshta mund t’ia dalë të bëjë shtet serioz, por serioziteti i pushtetit personal të Kokëdhimës po e bën karagjoz.

Gazeta TemA

Kërkon seks me të miturën në këmbim të punës. Arrestohet një sekretar i PS-së në Sarandë

Tronditja e Sarandës përtej pedofilisë