in

Karabinieri i korruptuar devijon hetimet mbi vrasjen e shqiptarit në Rho

Për “të mbuluar” Cristian Bandiera, të birin e një prej krerëve të ‘ndrangheta-s, karabinieri Michele Berlingieri ndërhyn në skenën e krimit dhe fsheh gëzhojat

Xhirimet e telekamerave të sigurisë brenda lokalit “Il Brigante” në Rho, ku më 25 janar të këtij viti ndodhi një ngjarje e rëndë, kanë regjistruar provën vendimtare të ndërhyrjes në skenën e krimit. Pas një kacafytjeje mes një grupi klientësh shqiptarë dhe italianë, gjatë të cilës mbeti i vrarë i goditur me një plumb revoleje në gjoks 38 vjeçari shqiptar Artin Avrami, emigrant pa probleme me drejtësinë, një prej karabinierëve ka mbledhur gëzhojat e paplasura me qëllim devijimin e hetimeve. Michele Berlingieri, në atë kohë ishte akoma në shërbim dhe më pas u arrestua në kuadrin e një operacioni lidhur me ndërhyrjet e ‘ndrangeta-s në Lombardi. E autori i krimit kundër shqiptarit në lokal ishte pikërisht Cristian Bandiera, djali i një prej bosëve më të fuqishëm të organizatës kriminale dhe i dënuar me 16 vjet për vrasjen e shqiptarit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga hetuesit, në lokalin “Il Brigante”,  kishte plasur një zënkë me sa duket thjesht për një kompliment drejtuar një vajze. Më pas një klient italian dhe një shqiptar patën nxjerrë revolet duke shtënë të paktën dhjetë herë. Bilanci qe i rëndë, një i vrarë dhe disa të plagosur. Fillimisht nuk dihej se cili ishte personi që kishte qëlluar dhe pse një karabinier i thirrur në vendin e krimi zhvendoste gëzhojat e plasura dhe mblidhte ato të paplasurat. Por me zbulimin e lidhjeve mes Michele Berlingieri-t dhe klanit Bandiera, tabloja u qartësua.

Gjykatësi ka dënuar edhe katër shqiptarë të akuzuar për sherrin në lokal me dënime që shkojnë nga 2 deri në tre vjet e gjysmë. Gjykatësi ka vendosur gjithashtu edhe dëbimin e tyre pas kryerjes së dënimit. Ndërsa për ish-karabinierin Michele Berlingieri dhe dy shtetas të tjerë italianë, gjyqi do të nisë më 8 mars në Gjykatën e Rho, në Milano.

Shqiptarët në Itali janë 467 mijë

“Burgjet janë plot për shkak të normave kundër klandestinëve”