in

Liqeni i Tiranës, bataku ku janë zhgërryer të gjithë

Duke parë prej ditësh, qëndrimet e Partisë Socialiste, që zgjeroheshin me kronika mbështetëse në lajmet e Klan-it, lidhur me ndërtimet që Lulzim Basha ka miratuar tek liqeni artificial, nisa natyrshëm të lundroj në web, me termin “betonizimi i liqenit”. Po e them në fillim: ishte ushtrimi më i pështirë për të rikthyer në kujtesë, një nga historitë e shëmtuara të politikës shqiptare, që fillon këtu e tetë vite më parë. Nuk po përdor epitete të tjera, sepse të gjitha do të ishin të pafuqishme, pamjaftueshmërisht të forta, për të sendërzuar atë që ka ndodhur.
Nga Andi BUSHATI

Po e filloj nga kreu. Ka dy ditë që një grup socialistësh dalin tani në mes të vapës, tek diga e liqenit, për të denoncuar lejet e ndërtimit që kreu i bashkisë të Tiranës ka dhënë, këtë fillim gushti,  në zonën e gjelbër përbri pishinave.

Pyetjet që ata ngrejnë janë disa: Po tani, kush e mori 20%-shin? Pse Basha nuk i mbajti premtimet që bëri gjatë fushatës së tij për këtë zonë? A është ai një kryebashkiak i korruptuar apo një kryebashkiak peng?

Natyrisht nuk ka dyshim, të gjithë e kuptojnë se bëhet fjalë për një leje ndërtimi, të dhënë në atë zonë, për të cilën në vitin 2010, Partia Demokratike e akuzoi Edi Ramën se kish marrë 20% të vlerës. Që atëhere dhe për shumë muaj me radhë, Rama nuk thirrej me emrin e tij të vërtetë, por me “Mister 20%-shi” apo “Edi Lepri”.

Por ajo që gjeta në arkiva është shumë më e rëndë se kjo retorikë politike. Kur Edi Rama kish hedhur firmën e tij mbi këtë projekt, në vitin 2008, ashtu siç di të bëjë ai, i kishte vënë gjoksin. Ai e kish mbrojtur atë si një kryevepër të arkitekturës moderne, të projektuar nga studioja me famë botërore e Winny Maas. Ai thoshte atëhere se ky projekt nuk do të prishte, por përkundrazi, do të rikualifikonte mjediset ekzistuese duke i kthyer ato në hapësira publike të cilësisë më të lartë europiane.

Kërkova t’i krahasoj këto fjalë me argumentat që Lulzim Basha, tani kryetar bashkie, mbrohet nga sulmet që i bëjnë. Teksti i kryetarit të ri, ngjan si dy pika uji me mbrojtjen e paraaradhësit të tij. Sikur ta kish shkruar e njëjta dorë, sikur t’i ish bërë “copy paste”, nga arkivat e bashkisë së vjetër. “Ky projekt shfrytëzon vetëm 40% të truallit privat dhe në përfundim të tij, qyteti do të përfitojë edhe 20 mijë metra katrorë hapësirë publike dhe gjelbërim”, thuhet ndër të tjera në këtë reagim.

A është i mundur ky përgjërim në emër të hapësirës publike? A mundet që mashtrimi, hipokrizia, mospërfillja ndaj publikut të shkojë deri këtu?

Por kjo lojë teatrale, ku akuza dhe mbrojtja janë të njëjta, vetëm se palët kanë ndërruar vende, është vetëm fillimi i kësaj historie. Ajo shkon shumë më larg.

Ajo daton në nëntor të vitit 2006 kur kryeministri Berisha, një një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit e kaloi këtë zonë në shesh ndërtimi. Madje ai e akuzoi atëherë Edi Ramën se nuk liberalizon sheshet e ndërtimit për të pasur vetë përfitime më të mëdha (shikoni ironinë).

Gati një vit më pas, në verën e vitit 2008, Parlamenti miratoi edhe disa ndryshime në ligjin për sportin, me anë të të cilave i hapej rrugë shndërrimit të terreneve sportive në troje ndërtimi. Kuadri ligjor po bëhej gati. Ata që qëndronin pas kuintave me sa duket lëviznin gjithçka. Nuk zgjati shumë dhe një juri ndërkombëtare shpalli fituesin e një konkursi për zonën e ndërtimeve tek liqeni. Natyrisht për të arritur një mirëkuptim të tillë, për të ndërtuar në kryeqytet, duheshin dy palë: Edhe pushteti qendror edhe ai bashkiak. Zërat që gumëzhinin atëherë në Tiranë ishin se marrëveshja qe arritur pas një lobingu të fortë të një biznesmeni shumë pranë Berishës dhe të një tjetri shumë pranë Ramës. Këtë aferë parash e kish lehtësuar së tepërmi edhe klima çuditërisht e zbutur pas ngjarjes së Gërdecit. Menjëherë pas saj, Rama dhe Berisha, si dy dashnorë të vjetër, madje tani dhe me interesa të përbashkëta, ndryshuan brenda natës kushtetutën e vendit dhe ligjin elektoral. Nga këto ndryshime prekej përpos gjithë shqiptarëve edhe një forcë e vetme politike: LSI e Ilir Metës.

Çuditërisht, po çuditërisht, qe Ilir Meta, atëherë i ndarë nga dy të mëdhejtë, që do ta denonconte trafikun e ndyrë politiko-financiar që po tentonte të bëhej përbri liqenit artificial. Atëhere kreu i LSI-së u ngrit kundër projektit, duke akuzuar se aleanca mes Ramës dhe Berishës po prishte mjediset publike: “Kanë vendosur të shkatërrojnë përfundimisht gjithë komplekset e S.K Partizanit dhe të Dinamos, të zhdukin kopshtin botanik për të ndërtuar kulla 20 kate”, tha atëhere Meta. 
Do duhej te kalonin dy vjet, kur marrëdhëniet mes Berishës dhe Ramës u përkeqësuan ndjeshëm, kur opozita braktisi parlamentin dhe doli në rrugë, që kreu i PD-së ta denonconte marrëveshjen për ndarjen e trojeve përbri liqenit. Atëherë, në verën e vitit 2010, për disa muaj me rradhë, nuk ngeli deputet i PD-së pa folur për mister 20%-shin dhe nuk la rast pa i prapangjitur Edi Ramës mbiemrin Lepri. Po në të njëjtën kohë opinioni publik ngriti disa pyetje: si mund të akuzonte PD-ja, kur ishte vetë e përfshirë në këtë allishverish? Si mund të fliste për 20%-ësh të Ramës, kur vetë Berisha kishte miratuar ligje dhe kish dhënë vota? Zgjedhjet po afronin, Rama duhej hequr me çdo kusht nga Bashkia dhe krerët demokratë e kishin gati përgjigjen për këtë.

I pari Berisha, që nisi fushatën kundër ndërtimeve tek liqeni, që e mbajti gjallë për muaj me radhë atë, jo vetëm e kritikoi projektin, por kërkoi dhe falje. I pyetur në prill 2011 në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ai deklaroi se kish gabuar me vendimin për kthimin e terreneve sportive në sheshe ndërtimi. Po ashtu edhe Basha u angazhua në pohimin e fortë (atë që sot po ia kujton çdo ditë TV Klan) se ai nuk kish projekt të ndërtonte tek liqeni.  Por me t’u ngjitur në bashki, ai hartoi një plan rregullues që parashikonte ndërtimet që ai ka firmosur në këtë fillim gushti.

Dhe ironia nuk mbaron këtu. Ky plan rregullues, ka kaluar jo vetëm me votat e demokratëve, por edhe me bekimin e Ilir Metës, sepse në këshillin bashkiak nuk bëhej dot shumica pa votat e LSI-së. Kështu edhe Meta do të detyrohej të kapërdinte atë që kishte pështyrë, duke i dhënë edhe ai dritën jeshile ndërtimeve tek liqeni, që i kish anatemuar 6 vite më parë, atëhere kur sillej si opozitar.

Kjo është shkurtimisht historia e projekteve për ndërtim mbi hapësirat e gjelbërta përbri liqenit artificial. Pikërisht kjo, aq e pabesueshme, sa nëse ndonjë skenarist do ta kishte propozuar ta shndërronte në një film fiksion, me siguri askush nuk do ta pranonte, se aq shumë shkon në kufijtë e irreales. Por fatkeqësisht kjo ka ndodhur. Dhe ajo është një histori simbol, ndoshta nga më të spikaturat, për të treguar të gjithë klasën tonë politike:

Ku Edi Rama sot ka vënë njerëz të sulmojnë për atë që e kanë denoncuar dikur. Ku Lulzim Basha detyrohet të firmosë për atë që kish thënë se s’do ta bënte dhe për të cilën e kish akuzuar rivalin e tij si hajdut. Ku Ilir Meta herë duhet të mbyllë gojën duke aprovuar dhe herë duhet  heshtë duke iu bashkëngjitur denoncimit (në të dyja rastet në pushtet), për të njëjtën gjë që e kish quajtur skandal, kur bënte si opozitar. Ku Sali Berisha duhet të ndjehet më keq se një klloun, pasi partia e tij po ndryshon për herë të tretë qëndrim. Ku Jozefina Topalli dhe Eduart Halimi, Albana Vokshi dhe Astrit Patozi, duhet të ulin kokën kur kujtojnë deklaratat plot pathos me 20 %-shin. Dhe ku të gjithë shqiptarët duhet në ndihen të dërrmuar nga pafuqia, kur shohin se si i vjedhin, e më keq madje, sesi i tallin teksa kryejnë këtë akt.

Botuar në Lapsi.al

Miss Italia sbaglia lo spot e torna “solo per italiane”

Il Campo e le contrade: Siena, città orgogliosa