in

Shtetësia italiane. Rreth 60 mijë shqiptarë janë betuar para flamurit tringjyrësh

Vetëm gjatë dy vjetëve të fundit kanë marrë shtetësinë italiane rreth 25 mijë shqiptarë. Kjo shifër do të vazhdojë të jetë e lartë edhe në vitet në vijim

Shtyp mbi grafik për ta zmadhuar
Romë, 22 gusht 2014 – Rreth 850 mijë italianë të sotëm kanë pasur në lindje tjetër shtetësi. Është një shifër që pothuajse përkon me popullsinë e Torinos, qyteti i katërt italian për numër banorësh.

Kjo shifër del në shesh nga përpunimi i të dhënave që ka botuar së fundi ISTAT, instituti italian i statistikave. Nga rezultatet e Censimentit 2011 (të mbajtur në vjeshtën e atij viti) rezulton se qytetarët italianë, që në lindje kanë pasur një tjetër shtetësi, ishin 671.394 persona. Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe 65.383 persona që e kanë marrë shtetësinë gjatë vitit 2012 e rreth 100,7 mijë që sipas ISTAT-it duhet të kenë marrë shtetësinë gjatë vitit të shkuar (akoma nuk ka të dhëna të sakta e të detajuara për 2013). Të gjithë bashkë kapërcejnë shifrën e 837 mijë. Shifra është e destinuar të vazhdojë të rritet me të paktën 100 mijë në vit edhe katër – pesë vitet e ardhshme. Kjo për pasojë të sanatores 2012 kur qindra mijëra vetë u pajisën me dokumente qëndrimi, nga të cilët – gjithnjë sipas ISTAT-it – mbi 80% vazhdon të qëndrojë rregullisht në Itali. E nëse arrihet të ndryshohet edhe ligji i shtetësisë për brezat e dytë e këtyre t’u jepet më lehtësisht nga sot (me mbarimin e cikli shkollor, për shembull) shifrat mund jetë edhe dy-tre herë më e lartë vitet e para.

Shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar
Me arsyetim analog shkon në përfundimin se shqiptarët që kanë marrë shtetësinë italiane janë rreth 60 mijë. Te kjo shifër arrihet po të mbahen parasysh 33.699 personat që gjatë Censimentit 2011 kanë deklaruar se në lindje kanë pasur shtetësinë shqiptare, 9.493 shqiptarët që i kanë betuar besnikëri Republikës italiane gjatë vitit 2012 dhe pak a shumë 15.000 të tjerë që duhet ta kenë bërë betimin gjatë vitit 2013. Këtë shifrën e fundit mund ta llogarisim duke mbajtur parasysh që gjatë dy viteve të fundit (2011 e 2012) për të cilat ka të dhëna të detajuara, shqiptarët përbënin 14,5% të të huajve që fitonin shtetësinë italiane. Këtë përqindje aplikojmë mbi numrin e përgjithshëm të personave që sipas ISTAT-it duhet të kenë marrë shtetësinë gjatë vitit të shkuar. Duke mbajtur parasysh se ai i shqiptarëve është një komunitet i integruar e i vjetër tashmë, është e arsyeshme të mendohet që për disa vjet numri i atyre që marrin shtetësinë italiane të vazhdojë të jetë i lartë për disa vjet. Duke qenë se numri i ardhjeve të reja ka rënë shumë, se ka nga ata që largohen nga Italia, mund të jetë e afërt dita që numri numri i shqiptarëve me lejeqëndrim të mos rritet më.

Shifra është e konsiderueshme e bëhet veçanërisht interesante në periudha zgjedhjeje, gjë që e pamë edhe me përfshirjen goxha aktive të shqiptarëve në ato të fundit administrative italiane. Nga ana tjetër, gjithnjë sipas ISTAT, më 1 janar 2014, në Itali jetojnë 502.546 shqiptarë. Këta së bashku me ata që kanë marrë tashmë shtetësinë italiane, bëhen 560 mijë, e përbëjnë një fetë të rëndësishme të popullsisë shqiptare, që brenda kufijve të vendit nuk kap as 3 milionë (sipas INSTAT, më 1 janar 2014, Shqipëria ka 2.895.947 banorë), për të cilët klasa politike shqiptare duhet të tregohet më e vëmendshme.

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Il Campo e le contrade: Siena, città orgogliosa

Kledi Kadiu për SLA: Jo kovë uji por kontribut të vërtetë