in

Tragjedia e vazhdueshme e vdekjeve në Mesdhe. Rreth 250 të mbytur në 48 orë

Vdekje pa fund, përditë e Italia nuk ia del dot më. Alfano: “Nëse Evropa nuk ndërhyn, do të ndërpresim misionin Mare Nostrum”

Romë, 25 gusht 2014 – Mesdheu, rruga e vetme e emigrantëve që largohen nga Afrika me çdo mjet të mundshëm që qëndron mbi sipërfaqen e ujit, me shpresën e mbërritjes në Evropë. E shpresa jo gjithnjë bëhet realitet. Edhe pse me Mare Nostrum, nga e premtja deri të dielën, Marina ushtarake italiane ka shpëtuar rreth 4 mijë persona, tre mbytje në 48 orët e fundit u kanë marrë jetën rreth 250 të tjerëve. Anija (nëse mund të quhen kështu karakatinat e detit) e parë e mbytur, të shtunën, para brigjeve të Libisë që mendohet të ketë bërë mbi 200 viktima. Duke gdhirë e diela, në një gomone gjysmë të mbytur, Marina italiane shpëtoi 17 persona por gjeti edhe 18 të pajetë. Tragjedia e fundit në kohë, duke gdhirë e hëna: disa milje në jug të Lampedusës, një peshkatore është përmbysur: shpëtohen 364 vetë, dhe nxirren nga deti 6 kufoma. Vazhdojnë akoma kërkimet mos ka trupa të tjerë.

Duket se këto tragjedi janë ndier edhe në Bruksel, që përmes komisares për Çështjet e Brendshme Cecilia Malmstroem jo vetëm ka shprehur ngushëllimet për të mbyturit, por ka falënderuar autoritetet italiane “për përpjekjet e mëdha që po bëjnë për të ndihmuar e për t’u shpëtuar jetën mijëra vetëve” dhe ka siguruar “Komisioni Evropian mbetet i angazhuar të ndihmojë Italinë në përpjekjet e saj. Të mërkurën në Bruksel do të takoj ministrin Alfano për të përcaktuar më mirë prioritetet dhe të ofrojnë ndihmë”.

Nga anë e tij, ministri i Brendshëm Alfano i ka idetë e qarta: “Evropa duhet të përballet me çështjen e kufijve. Nëse do të refuzojë, Italia do të vendosë ttë ndërmarrë vetëm operacione të ndihmës në det sipas të drejtës ndërkombëtare dhe humanitare, sepse kështu nuk mund të shkojmë përpara”.

“Do të çoj në Bruksel projekte alternative të Mare Nostrum – shton Alfano – e nuk mund të pranojmë idenë se Brukseli nuk mund të bëjë asgjë për mungesë parash. Pse, ne i kemi? Jo, nuk i kemi as ne”.

Të ndërpresësh nga sot nesër misionin Mare Nostrum duket e vështirë por do të ishte shumë e rrezikshme nëse lajmëron mbylljen e tij pas njëfarë periudhe: do të nxiste kështu trafikantët të intensifikonin lundrimet drejt Italisë për të sjellë sa më shumë persona për sa kohë ekziston mundësia e shpëtimit nga misioni Mare Nostrum.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Kledi Kadiu për SLA: Jo kovë uji por kontribut të vërtetë

Merkel: Pse përgjuam Shqipërinë? Për sigurinë tonë kombëtare