in

Saimir Pirgu: “Shqipëria është zemra, Italia është arti”

Tenori 33-vjeçar, i njohur në mbarë botën, sapo ka marrë shtetësinë italiane, e tek rrëfehet për të përdishmen Il Messaggero, thotë se është shqiptar në karakter e ndihet italian në art.

“Është i ri, vetëm 33 vjeç, por i famshëm në mbarë botën. Shqiptar krenar (në Elbasan ku ka lindur, është diplomuar në violinë), prej disa javësh ka marrë edhe shtetësinë italiane: «Kam kaluar në Itali gjysmën e jetës sime, kam studiuar kanto në Konservatorin Claudio Monteverdi të Bolzanos e sot jetoj në Verona. Isha vetëm 22 vjeç kur Claudio Abbado më zgjodhi për rolin e Ferrandos në “Così fan tutte” të vënë në skenë në Ferrara. Për mua, Italia është arti. Jam e mbetem shqiptar për përkatësi dhe karakter; ndihem italian për profesionin tim, kanton, që është edhe jeta ime»”. Kështu nis shkrimi i gazetares Rita Sala në faqet e Messaggeros, ku tregon për karrierën e bukur si artist që shëtit skenat më të famshme të botës, për kujdesin ndaj zërit, për lidhjen e veçantë me Pavarottin që mbetet një pikë referimi për të, por edhe për vendet që ndien si atdhe, Shqipërinë e Italinë.

“Saimir Pirgu feston shtetësinë italiane të sapomarrë – lexohet në artikull – me rolin e Dukës së Mantovës të Rigolettos në Royal Opera House të Londrës, premiera më 12 shtator, me regjisor David McVicar dhe dirigjent Maurizio Benini”.

Foto Alessandro Moggi
E kjo është vetëm një nga etapat e karrierës së tij. “Dirigjentë të mëdhenj, skenat më të famshme të botës, udhëtime të njëpasnjëshme, ndryshime të shpejta horizontesh”, kjo është jeta e Saimir Pirgut. “Por nuk turbullohem. Jam aq i angazhuar të nderoj fatin që kam pasur të arrij majat pa kaluar nëpër fazat e ndërmjetme, sa nuk e ndiej fare lodhjen. Ambienti i operës nuk është i lehtë, nuk është e lehtë që sot të jesh në Paris apo Londër e nesër të të duhet të ndodhesh në Shtetet e Bashkuara apo në Japoni. Por e kam të qartë që një karrierë ndërkombëtare kërkon profesionalizëm të hekurt. E imagjinoj veten gladiator që çdo ditë duhet të fitojë mbi një kafshë të re, luftoj, i kthej në përqendrim udhëtimet e gjata me avion, ndryshimet e klimës, të ngënën në restorant, seancat e gjata të provave. Në këtë kontekst, vetëm zëri nuk mjafton”.

“E ndërsa flet me të – përfundon artikulli – kupton që Pirgu informohet, dëgjon, reflekton e zgjeron vazhdimisht fushat e interesit. Është i lumtur për vizitën e Papës në Shqipëri: «Është dëshmia që Shqipëria, pas shumë vitesh izolim, sheh drejt Evropës». E Saimiri italian? «Përpiqet të jetë artist i vërtetë, për të nderuar sa më mirë atdheun e tij të dytë»”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Saimir Pirgu me presidentin Giorgio Napolitano e dirigjentin Riccardo Muti pas koncertit Grande Guerra në Redipuglia, korrik 2014
Saimir Pirgu me presidentin Giorgio Napolitano e dirigjentin Riccardo Muti pas koncertit Grande Guerra në Redipuglia, korrik 2014
Ilmessaggero.it

 

Kryebashkiaku i Barit: “Qytetarë, reagoni e padisni vrasësit e Flori Mesutit”

Papa Franscesco: “Basta discriminazioni, lo sport dia l’esempio”