Fitorja e Socialistëve në zgjedhjet e kaluara ngjante shumë me fitoren e Pirros. Kostoja qe e stërmadhe dhe duket se po rëndohet me kalimin e kohës.
Nga Gjergj Erebara, BIRN
“Ka shumë gjasa që Rama pas një viti ta prishë koalicionin dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme,” komentoi një shoku im pak ditë pas zgjedhjeve të vitit 2013, ku, siç mund ta mbajnë mend shumë, PS i fitoi zgjedhjet, por mori vetëm 65 deputetë, pra gjashtë më pak nga një maxhorancë e thjeshtë parlamentare. Dy të tjerë i përkasin aleatëve pranë PS.
Pasi mori frymë thellë, ky shoku im shtoi: “Kjo qe fitore si e Pirros”.
Fitore si e Pirros qe togfjalëshi i duhur. Pirro e fitoi luftën, por humbi gjysmën e ushtrisë dhe rrjedhimisht, edhe vetë luftën.
Një vit e gjysmë pas, gjërat nuk duken aspak mirë për Ramën. Ai nuk duket se ka ndër mend të hyjë në zgjedhje të parakohshme, pa Metën si aleat. Ky ngjan se është një vendim i drejtë për shkak se fitorja e zgjedhjeve të fundit qe e bazuar aq shumë në metodat e makiavelizmit politik, me gangsterë të përdorur për kandidatë dhe roje votash, sa vështirë të kesh ndonjë gjë të sigurtë në rast zgjedhjesh të parakohshme. Gangsterët ikin e vijnë, i shiten prurësit më të parë. Më saktë, Rama duket se nuk ka shumë mundësi të hyjë në zgjedhje të reja.
Ndërkohë, sipas vlerësimeve të fundit, Meta ka arritur të marrë në praktikë 40 për qind të të gjithë pushtetit, ndonëse thuhet se pazari i parë qe për 25 për qind të pushtetit.
Por ndërsa Meta duket se po merr frytet e pushtetit, Rama po merr kostot. Rritja e taksave, rritja e çmimit të dritave, pamundësia për të punësuar militantët socialistë, pasi vendet e punës i kanë zënë militantët LSI-stë apo ish-demokratët që u kthyen me LSI-në, janë të gjitha kosto për Ramën dhe leverdi për Metën. Rama gjithashtu vështirë se mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi aktualisht Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mbetet i paplotë që nga kriza para zgjedhjeve të kaluara dhe plotësimi i vendeve vakante kërkon një lloj kompromisi politik mes të tri palëve. Ramës i duhet gjithashtu të arrijë një marrëveshje me Nishanin (nënkupto Berishën) dhe Metën për të plotësuar vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, marrëveshje që nuk duket gjëkundi për momentin. Vajtja në zgjedhje të parakohshme me KQZ të paplotë dhe me Bankë Shqipërie me pasiguri qeverisëse është një punë paksa e sikletshme.
Ka një thashetheme për një si tip kërcënimi që thuhet se Rama i ka bërë Metës para zgjedhjeve, duke i thënë se nëse i kap duke vjedhur njerëzit e tij, do t’i fusë në burg. I kemi parë këto kohë se si disa drejtorë LSI-sta kanë përfunduar në pranga. Sido që me vlerë të lartë morale, kjo nuk ndryshon shumë në praktikë. Metës në fund të fundit nuk i duhet hajduti por i duhet pozicioni. Rama mund të fusë në burg një apo disa inspektorë mjedisi, por zëvendësimi i tyre është i kollajshëm për Metën.
Maxhoranca qeverisëse ndërkohë është zgjeruar më tej, pavarësisht se kishte 83 deputetë. Meta bleu të rinj nga opozita ndërsa Rama është duke flirtuar me me PDIU, një parti që nuk ndryshon shumë nga partia e Metës por që ka ndonjë farë gjase që t’i japë shpresa për maxhorancë të thjeshtë Ramës në parlament dhe rrjedhimisht, një mekanizëm kërcënimi ndaj Metës.
PS dhe LSI po bëjnë llogaritë tashmë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PD nuk hyn fare në llogari. Ndarja e pushtetit vendor do të bëhet mes dy partive në qeveri.
Demokratët nuk kanë arsye se pse të shqetësohen. Ata e kanë humbur pushtetin dhe atë pjesë të pushtetit vendor që kanë nuk është se i hyn shumë në punë. Në një farë mase, humbja e Bashkisë së Tiranës vitin e ardhshëm, apo qoftë edhe humbja e Shkodrës, nuk është se ndryshon gjë për demokratët.
Në Shqipëri, këto 20 vitet e fundit kanë treguar se posedimi i pushtetit vendor kur je në opozitë në pushtetin qendror, është më shumë kosto se sa përfitim. Pushteti vendor bllokohet lehtë nga pushteti qendror dhe bëhet inekzistent. Ai han mallkimet e qytetarëve për çdo gropë në rrugë, për çdo stol të prishur. Është një kollaj t’ia kalosh të gjitha pushtetet partisë në pushtet dhe të presësh që ajo të lodhet. Nga ana tjetër, Lulzim Basha nuk duket se ka ndonjë interes për të bërë ndonjë punë si kryebashkiak pavarësisht nëse e bllokon apo jo Rama punën e tij të zakonshme.
Kështu që zgjedhjet e ardhshme vendore, ka gjasa do të jenë një lojë mes Ramës dhe Metës.
Lufta e Pirros kundër Romakëve kishte dy palë. Njëra palë, ajo e Pirros, fitoi betejën me humbje të mëdha, ndërsa pala tjetër, ajo e Romës e humbi betejën por kishte mundësi të forcohej sërish për shkak se luftonte në territor të vet.
Se kush do të luajë rolin e cilit, kjo mbetet për t’u parë. Por ndërkohë rreziku është që vendi të mbetet efektivisht i paqeverisur.