Por dokumentet biometrike me të cilat shqiptarët janë pajisur deri më sot do të vazhdojnë të jenë të vlefshme. E pohon ministri i brendshëm Tahiri
Nga 1 janari 2015 shqiptarët do të pajisen me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike “të reja” apo e thënë me fjalët e qeverisë, më të sigurta se të sotmet. Kryeministri Rama, pjesëmarrës në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbimet elektronike”, e zhvilluar më 11 tetor nga Ministria e Inovacionit, tha se përmes dokumenteve të dixhitalizuara me më shumë elemente sigurie do të arrihet të luftohet korrupsioni i sporteleve, pasi shumë shërbime do të ofrohen online. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se dokumentet e reja të identifikimit do të kenë elemente të shtuara sigurie, të cilat do të jenë në duart e qytetarëve prej janarit të vitit 2015. Sipas ministrit, nëpërmjet elementeve të shtuara të sigurisë në pasaporta dhe letërnjoftime do të përmirësohet cilësia e shërbimeve, do të rritet efektiviteti i administratës dhe do të ulet mundësia për korrupsion. Në fakt, nga 1 janari parashikohet që dokumentet e identifikimit të sigurojnë “implementim të protokollit të sigurisë, teknologji të re kontrolli të avancuar, element sigurie me prekje në sipërfaqen e kartës, element sigurie nëpërmjet shenjës së gishtave, element sigurie nëpërmjet verifikimit të fytyrës”.
Pra nuk kalojnë as pesë vjet nga pajisja e detyrueshme e qytetarëve me letërnjoftime elektronike, të pajisura me çip personal të dhënash, dhe pasaporta biometrike që edhe asokohe na u shitën si më të mirat e mundshme, shqiptarët do të duhet të pajisen me dokumente të reja identifikimi.
Kohë më parë mësuam edhe që çmimi i pasaportave dhe i letërnjoftimeve do të rritet me 25%, gjithnjë nga 1 janari.
Por një gjë duhet ditur sa më parë: a do të jenë sërish të detyruar qytetarët të ndërrojnë dokumentet me të cilat janë pajisur (e vazhdojnë të pajisen) ndërkohë? Pyetja është e frikshme, qoftë për telashet që u hapen qytetarëve, qoftë për kostot e larta që u duhet të mbulojnë. Madje këto – telashet e kostot – duhen shumëfishuar për atë pjesë të madhe të popullsisë që jeton jashtë Shqipërisë.
Në këtë aspekt, ministri Saimir Tahiri siguron në profilin e tij Facebook: “Për të shmangur keqkuptimin, dokumentet aktuale janë e do jenë plotësisht të vlefshme”. Më tej ministri sqaron: “Në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dy elementët biometrikë do të jenë në fuqi. Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga janari i vitit tjetër, do kenë në dorë një ndër dokumentet më të sigurta në Europë.
Por kjo nuk do të thotë se duhen rinovuar pasaportat aktuale që janë të vlefshme, pasi qytetarëve u janë marrë të dhënat (foto dhe gjurmë gishtash) kur kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta apo letërnjoftime ID, ndërsa nga janari 2015 ato bëhen aktive në system”.
Urojmë që ky të jetë edhe qëndrimi zyrtar i Qeverisë e të mos kemi të papritura të hidhura për vitin e ri.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe: Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%