in

Vetëvrasje serbe – Kronikë e asaj që duhet të ishte një ndeshje futbolli

Nuk mund luhej futboll dje në Beograd, lojtarët shqiptarë u qëlluan nga punonjës të sigurisë së fushës, tifozët dhe policia. Shqipëria kërkon 3 pikë në tavolinë nëse UEFA na jep të drejtë Serbia mund të dënohet ashpër

Hera e parë që Shqipëria shkoi rrezikshëm në portën e Serbisë dhe fitoi një goditje këndi Hansi Agolli që duhej ta vinte topin në lojë u qëllua me fishekzjarre. Më pas dikush mendoi të hidhte shishe në fushë. Lojtarët e serbisë u përpoqën ta fshihnin këtë, u përpoqën të qetësonin turmën. Kaq. Deri në këtë moment mund të thuhej se po luhej futboll edhe pse rreth e rrotull ekipi shqiptar ishte rrethuar me njerëz që kërkonin “vdekje të shqiptarëve”. Kjo ishte ndoshta parulla më e qetë që u tha në stadium.

Atmosfera ishte e rëndë që para ndeshjes. E rëndë sepse skuadra shqiptare ishte e detyruar të lëvizte me blinda deri në stadium dhe shoqërohej nga forca speciale të armatosura deri në dhëmbë. Ajo që bën habi është se përtej deklaratyave për kontrolle të ashpra tifozët serbë ja kishin dalë të kishin gjithçka nevoitej për të qëlluar në fushë nga fishekzjarret te mjetet e tjera.

Himni i Shqipërisë thuaj nuk u dëgjua mes fërshëllima pavarësisht fonisë dhe lojtarëve që e u përpoqën ta këndonin atë madje edhe pasi kishte mbaruar zyrtarisht. Ndeshja qe e mirë për serbët në fillim. Ata dukeshin të rrezikshëm me topa pas shpine dhe më të shpejtë e më agresivë. Madje më tepër agresivë se sa duhet pasi Burim Kukeli u dëmtua nga një bërryl dhe u përgjak në fushë. Skena e parë e dhunës kjo. Pas minutës së 25-të shqiptarë ndryshuan temp dhe morën nënkontroll lojën në pak minuta tre goditje këndi, dy gjuajte në portë nga Cana dhe Mavraj. Këtu situata fillon të dalë nga kontrolli.

Ndërsa Lenjani gjuajti duke rrezikuar sërish portën serbe, të tjerë fishekzjarrë fluturuan në fushë. Arbitri anglez ndaloi lojën dhe pas ndalimit u vu re që në qiell po fluturonte një dron i telekomanduar me simbolet shqiptare. Ishte e paqartë se çfarë po ndodhte, ndërsa kamerat fiksonin lojtarët të tensionuar në fushë. Një prej futbollistëve serbë e uli përdhunshëm dronin duke kapur flamurin, kjo qe një shkëndijë tjetër. Taulant Xhaka dhe Andi Lila ishin të parët që vrapuan për të mbrojtur simbolin kombëtar që më vonë u kuptua se ishte një hartë e modifikuar e Shqipërisë etnike – me kufijtë e kërkuar prej qeverisë së Vlorës në Konferencën e Londrës më 1913 – dhe që përdoret rëndom nga tifogrupet shqiptare. Menjëherë rreth Xhakës që kërkon të marrë flamurin janë lojtarë të tjerë serbë dhe më pas edhe 3 punonjës të sigurisë së fushës që e qëllojnë atë me grushta në shpinë. Pamjet deri këtu janë të qarta pasi televizioni menjëherë largoi kamerat dhe pak mund të shquhej nga distanca.

Foto të tjera tregojnë se në fushë hynë tifozë të serbisë dhe një prej tyre qëlloi me karrige Bekim Balajn. Një foto tjetër tregon se si Lorik Cana e shtriu në tokë të njëjtin person. Më pas lojtarët e Shqipërisë u detyruan të dilnin në tunel mes gjuajtjeve nga shkallët e Stadiumit Alban Bushi thotë se edhe policia serbe qëlloi mbi ta ndërsa kalonin në tunel. Ajo që e bën më skandaloze situatën është fakti se në sulmin ndaj lojtarëve shqiptarë u përfshinë edhe punonjës të sigurisë së stadiumit apo edhe policia siç raporton Bushi. Kapiteni i Serbisë, pas ndeshjes, tha se ekipet ishin përgjegjës vetëm për atë që ndodh në fushë, Madje si ai si Cana pohojnë se lojtarët kishin qenë korrektë.

Në Serbi nuk mund të luhej futboll. Kjo qe e qartë me lojtarët shqiptarë që lëvizeshin në mjete te blinduara para ndeshjes dhe nuk mund të dilnin as për të vrapuar në ajër të pastër. 42 minutat e ndeshjes ishin një provë tjetër e gjithë atmosferës së ngarkuar me thirrje rraciste kundër shqiptarëve dhe më pas edhe me sulme me mjete të forta në fushë. Shqipëria pritet të kërkojë 3 pikë në tavolinë edhe pse mediat serbe pretendojnë se provokimi erdhi nga tifozët e munguar shqiptarë në stadium dhe nuk është çudi që edhe Serbia të pretendojnë tre pikë në tavolinë duke u përpjekur ti izoloi incidentet me atë që ndodhi në momentin e dronit edhe pse ndeshja ishte ndaluar nga hedhja e fishekzjarreve.

Nga Mapo.al
 

Kuqezinjtë priten si heronj në Rinas

Serbi-Shqipëri. Në fushë edhe Ivan “i tmerrshmi”. Para tre vjetëve në Genova dogji flamurin shqiptar