in

Dy çmime për kombëtaren kuqezi

“Mirënjohja e Tiranës” nga kryetari i bashkisë Basha, “Hasan Prishtina” nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta e Prishtinës

Kualifikimi për në fazën finale të Evropianit 2016 është ende larg, por pas përballjes me Serbinë, djemtë e kombëtares shqiptare kanë fituar tashmë dy tituj: një nga Shqipëria e një nga Kosova.

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Tiranës”.
Në Facebook, Basha shkruan: “Kam nderin dhe privilegjin t’i akordoj Kombëtares Shqiptare të Futbollit titullin “Mirënjohja e Tiranës”, me motivacionin: “Përfaqësoi dhe mbrojti denjësisht simbolet kombëtare, duke na dhënë nder dhe bërë krenarë për dinjitetin dhe qytetarinë e treguar, në një situatë aspak miqësore dhe të tensionuar”.

Nga Kosova mbërrin një tjetër vlerësim. Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, i ka dërguar një letër kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. “Ju përcjell vendimin e kryesisë së Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, për ndarjen për Kombëtaren Shqiptare, të Çmimit Tradicional të Shoqatës, që mban emrin ‘Hasan Prishtina’”, shkruan Lluka.
“Ju shkruaj duke ju përcjellë kënaqësinë dhe përgëzimet e mia më të përzemërta, për krenarinë kombëtare, që dha anembanë kombit dhe te shqiptarët kudo që janë, paraqitja dinjitoze e lojtarëve të Kombëtares Shqiptare të futbollit, në ndeshjen kundër Serbisë, në futboll. – thuhet në letër – Unë personalisht dhe anëtarët e aktivistët tjerë të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë dhe që vepron prej 24 vjetësh në të gjitha trojet shqiptare, ndajmë emocionin kuqezi, me të gjithë juve, në këto momente”.
“Kombëtarja Shqiptare, lojtarët e saj dhe mbarë stafi janë më merituesit, që për vitin 2014 të jenë laureatë të këtij çmimi, i cili deri më tani u është dhënë Nënës Shqiptare, Presidentit Klinton, Kryeministrit Bler, Gjeneralit Klark, Familjes Jashari, Familjes Haradinaj, Ambasadorit Uoker, Ambasadorit Uisner”, përfundon letra Jahja Llukës.

Në Beograd. Të mundësh një “armik” të lig dhe budalla

Uefa nis hetimet për masa disiplinore. Kundër Serbisë e Shqipërisë