Jam një grua shqiptare e martuar prej shumë vitesh e tani pres të marr shtetësinë italiane. Është e vërtetë që do të më regjistrojnë si italiane me mbiemrin e vajzërisë?
Shumë gra, në bazë të ligjeve të shtetit prej nga vijnë, apo për një zgjedhje të tyren, kanë ndërruar mbiemër pas martese. Kështu në Itali janë pajisur me dokumente qëndrimi, kod fiskal e me të gjitha dokumentet e tjera me mbiemrin e të shoqit. Në çastin e paraqitjes së kërkesës për shtetësinë në këtë rast certifikata e aktit të lindjes dhe dokumentet e tjera kanë mospërputhje pasi e para duhet të përmbajë mbiemrin e vajzërisë, ndërkohë që të tjerat janë me mbiemrin e të shoqit. Nëse ndodh kështu, e interesuara duhet të marrë në konsullatë një deklaratë që dëshmon se është i njëjti person.
Për sa i përket dekretit të dhënies së shtetësisë, ai i lëshohet gruas me mbiemrin e vajzërisë, pra me atë që ajo ka pasur para martese, sepse ligji në fuqi parashikon që qytetari i huaj bëhet italian me emrin e mbiemrin e tij fillestar, siç janë në aktin e lindjes.
Në këtë pikë, qytetarja e re italiane mund të zgjedhë një nga dy rrugët: ose të ndërrojë të gjitha dokumentet që ka me mbiemrin e të shoqit (kodin fiskal, për shembull) ose të paraqesë kërkesë në Prefekturën kompetente për qytetin ku ka vendbanimin për të ndërruar mbiemrin nga ai i vajzërisë në atë të bashkëshortit.
Së fundi, gruaja ka edhe mundësinë t’i kërkojë zyrës së Gjendjes Civile të Komunës që t’i lëshojë një dëshmi që është një deklaratë ku shënohet ndryshimi i mbiemrit; dokument ky që i shoqëruar nga dekreti i dhënies së shtetësisë italiane, është i dobishëm për të dëshmuar që pavarësisht mospërputhjeve, bëhet fjalë për të njëjtin njeri.
Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)