Nga Artur ZHEJI
Luiza Xhuvanin e njoh prej shumë e shumë vitesh. Që kur mbante mbiemrin Papathanasi dhe studionte për aktore në Akademinë e Arteve.
E talentuar, ambicioze dhe serioze. Nuk e kuptova asnjëherë përse ajo i hyri politikës, ndërkohë që, e martuar me Gjergj Xhuvanin, regjisor i talentuar edhe ai, krijonin, sëpaku gjykuar së jashtmi, një familje të suksesshme.
Tragjedia e tyre është një tragjedi familjare. Tepër e rëndë dhe tronditëse. Për familjet e viktimave dhe padyshim për Gjergjin dhe Luizën. Edhe për Kostandinin. I ngatërruar, në mënyrë dramatike dhe fatale, ndoshta ndërmjet filmit dhe realitetit, ndërmjet reales dhe imagjinares, në rrjetën e një jete aventuroze dhe plot adrenalinë. Dëgjova shumëkënd që u ngut ta përshkruajë si një vrasës të pamëshirshëm, andaj dhe hetova gjatë çfarë shkruhej dhe komentohej në këto orë frenetike. Nga vrasja e parë, te disa akte të tjera rebelimi, te Lazarati dhe kjo më e fundmja. Pa hyrë në dinamikën e krimit dhe detaje të tjera, “personazhi” i Kostandinit, për shkak të origjinës dhe prejardhjes, tërheq veçanërisht vëmendjen.
Duket qartë që Kostandini është përpjekur ndoshta të përjetojë jetën e një tjetri. E një personazhi trim, sfidues, antisocial, rebel, seksi. Tipikja e antiheronjve që kinemaja e sotme, apo diktatura e sotme mendore, i paraqet si Heronj, si një Lloj i veçantë, ku arbitrariteti i Unit i kundërvihet këtij servilizmi masiv, këtij nënshtrimi poshtërues që shumica e turmave gri, gëlltisin në mënyrë të përditshme. Gangsterët në Amerikën e dikurshme, apo mafiozët sot, të mishëruar nga legjenda e Al Pacinos apo Robert De Niros, janë pothuajse idhuj të shumë brezave që kanë genet rebele si dominanten e tyre. Ndoshta në këtë grackë ka rënë edhe Kostandini, rritur në një familje ku metafora e artit dhe realitetit është shumë më e ngjeshur se sa në familjet e tjera. Sepse personalitetet e forta dhe karizmatike të prindërve e vënë fëmijën nën një trysni të fortë për të gjetur rrugën e pavarur dhe kryeneçe të formimit.
Në një shoqëri si kjo e jona, pistoleta, droga, çlirimi i Unit nga prangat e një shoqërie të përdhosur dhe në të shumtën e vet hipokrite dhe të burgosur nga imoraliteti institucional, duket një film mrekullues dhe roli i protagonistit antikonformist është një ëndërr e fshehtë për shumë të rinj të ditëve tona dhe jo vetëm.
Sepse të ulurasësh dhe të veprosh si ujk, në një shoqëri që ujqërve u bën nder dhe respekt dhe u jep padrejtësisht pushtete e biznese dhe pasuri kombëtare, është krejtësisht normale. Edhe teatri primitiv që konsumoi sot politika, për ta cilësuar si anormale këtë që ndodhi, vërteton faktin që nevoja për të gënjyer të tjerët edhe veten se ne qenkemi një shoqëri normale, është një spektakël që nuk ka më spektatorë.
Sepse janë me qindra e mijëra vrasjet e heshtura dhe të pabujshme nëpër spitale, shtetërore apo private. Nëpër rrugë apo nga helmet që serviren si ilaçe. Apo ngaqë ende nuk dimë se çfarë hamë dhe se çfarë pimë. Dhe pse kjo kasaphanë dhe epidemi tumoresh, që ndoshta e ka burimin edhe te rrezatimet e pakontrolluara nga askush të antenave të kudondodhura të telefonave celularë, apo te ndotja e karburanteve të pakontrolluara dhe që kalbëzojnë mushkëritë tona dhe të familjeve shqiptare, dyndur qyteteve për një jetë më të jetueshme.
Sigurisht dikush, hipokrit mbi të gjitha, do të thotë se ky është një shkrim tjetër, tjetër temë pra! Mendoj krejt ndryshe. Kjo vrasje është një kronikë e paralajmëruar e një shoqërie që nuk po heq dot qafe zhulin e një antikulture që bën fole në çdo qelizë.
Antikulturë politike, antimoralitet, kapitalizëm primitiv dhe shpesh banditesk dhe vrasje. Vrasje të të gjitha llojeve!
Lërini sa më shpejt vetëm dhe të pashqetësuar në pikëllimin e tyre Xhuvanët, pra. Kanë sot e mot dhe për gjithë jetën e mbetur boll vrer për të tretur. Sepse, nëse në një familje intelektualësh dhe artistësh të rafinuar ndodh një keqkuptim kaq fatal dhe kaq dramatik në psikën e një djaloshi, çfarë po ndodh ndërkohë në mijëra familje dhe në dhjetëra mijëra adoleshenca të çoroditura, që po formohen në këtë moçalin tonë?
Ja pra që kolonat morale të një shoqërie nuk qenkan një shpikje e vjetëruar e njerëzimit, apo një shpikje e kapërcyer nga zgjuarsia virtuoze e të gënjyerit dhe nga ligësia diabolike që është tashmë Bibla dhe Kurani, i shumicës së shqiptarëve. Në të vërtetë, Gënjeshtra, Mashtrimi dhe Dhuna, janë bërë kodi më i suksesshëm që përdoret në mënyrë dërmuese dhe triumfuese nga palo shoqëria moderne që po ndërtojmë.
Sepse, në këtë ferr që po ndërtojmë dhe vetëgënjehemi se jemi dikushi, rrezikojmë të përcëllojmë fëmijët tanë. Herët a vonë. Duke mbjellë kësisoj në mënyrë fatale, përmes mëkatit dhe egoizmit tonë të sotshëm, tragjedinë e nesërme.
Edhe kjo pra, ishte një vrasje si të gjitha të tjerat. E zymtë. E dhimbshme. Tipike. Banale. Një gur i zi në mozaikun e së djeshmes dhe së nesërmes sonë, frymëzuar nga urrejtja, smira, etja për para dhe pushtet pa kufi, frymëzuar nga legjenda se Zoti ka vdekur apo është thjesht një profkë prapanike.
Ky pra është humusi ku lindet dhe rritet Antiheroi apo Heroi i kohëve tona. Këtë keqkuptim që Kostandini e ka përjetuar si një film të vërtetë. Pafajësisht fajtor, përderisa nuk janë dënuar proporcionalisht me qindra e qindra kriminelë ordinerë. Kapardisur gjithkund. Siç edhe e dimë.
Tipike për një shoqëri që nuk po çlirohet dot as këtë shekull, nga sindroma shumëformëshe e vetëvrasjes së vet të përditshme.