in

Aksident i rëndë rrugor: 9 viktima, 41 të plagosur

Një autobus i linjës Tiranë-Athinë rrëzohet 100 metra greminë në afërsi të Tepelenës. Ndër 50 pasagjerët, 9 kanë humbur jetën e 41 kanë mbetur të plagosur

Tanimë ka arritur në 9 numri i viktimave dhe 41 ai i të plagosurve – ndër të cilët gjashtë rëndë – në aksidentin e autobusit të linjës Tiranë-Athinë që dje në mbrëmje u rrëzua në afërsi të fshatit Ziaj në Mallakastër, në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20 kur autobusi i kompanisë greke të udhëtimit ALBTRANS me targa INB 9900, i drejtuar nga shtetasi grek Tomas Tsogas, ka dalë nga rruga në një segment të drejtë të saj duke rënë në një humnerë prej 100 metrash.

Operacionet e shpëtimit u vështirësuan si nga errësira ashtu dhe nga moti i keq.

Gjatë natës në vendin e aksidentit kanë punuar dy vinça për të ngritur autobusin, ndërsa personeli shëndetësor ka transportuar të plagosurit në spitalet e Tepelenës, Gjirokastrës por edhe në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe në atë të Janinës. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes për të koordinuar nga afër shpërndarjen e të plagosurve në spitalet e zonës. Në Fier autoritetet shëndetësorë bëjnë thirrje për dhurim gjaku, spitali nuk ka rezerva për të përballuar nevojat e të plagosurve me gjak.

Ende nuk janë kryer shqyrtimet teknike për të zbuluar shkakun e aksidentit. Disa nga udhëtarët që mbijetuan kanë treguar se shoferi ecte me shpejtësi të madhe dhe disa të tjerë thonë se ai kishte pirë. Ndërsa pala greke flet për mundësinë e shpërthimit të një gome, gjë që ka nxjerrë papritur autobusin nga rruga.

 

Liberalizimi i vizave, emocione e përgjegjësi

Kam një të afërm italian, a mund të përtërij lejeqëndrimin?