Andi Bushati në një intervistë dhënë ATSh-së shpjegon vonesat në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët
Tiranë, 10 nëntor 2010 – “Vonesat në procesin e liberalizimit të vizave janë shkaktuar nga faktorë me natyrë sa historike, aq edhe administrative”, tha sot për ATSh-në, analisti Andi Bushati.
I pyetur për hapat e ngadaltë të këtij procesi, Bushati shprehet se “këto vonesa janë historike për arsye të një të shkuare afro gjysëm shekullore pa lëvizje të lirë, po aq dhe administrative, pasi lidhen me paaftësitë e administratës shqiptare për t’u përshtatur me kriteret europiane”.
Sipas Bushatit, vonesat në këtë proces janë ftesë për një reflektim në të ardhmen, në mënyrë që të zbatohen kriteret e lëvizjes së lirë dhe Shqipërisë mos t’i vendosen më sanksione të reja.
“Kjo vonesë, më shumë se një shkak për zhurmë, është ftesë për një reflektim, sidomos në raport me të ardhmen, për të parë se si duhen zbatuar këtej e tutje kriteret e lëvizjes së lirë, se si të bëjmë të mundur që mos të abuzohet me rregullat e saj, në mënyrë që pas 15 dhjetorit, të vazhdojmë ta kemi këtë të drejtë, pa frikën e sanksioneve të reja”, tha Bushati.
Duke rikujtuar shprehjen “më mirë vonë se kurrë”, Bushati shprehet se “shqiptarët mund t’i gëzohen këtij lajmi të vonuar, por jo ta shndërrojnë atë në një premisë për festë, koncerte e ahengje politike”.
Lexo edhe: Liberalizimi i vizave është realitet