I pyetur nga ATSh se përse kemi mbërritur kaq vonë në destinacionin për liberalizimin e vizave – por siç thotë populli më mirë vonë se sa kurrë – analisti Artur Zheji, përgjigjet se “më në fund u kry. Ekuacioni është shumë i qartë, dolëm nga getoja, mbas më shumë se 70 vjetësh”.
Tiranë 10 nëntor 2010 – Vendimi i datës 8 nëntor i Bashkimit Europian që unanimisht votoi “pro” liberalizimit të vizave për Shqipërinë, bazuar në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për këtë proces, e fut vendin në një fazë intensivisht të re.
Analisti dhe drejtori i përgjithshëm i ATSh-së, Artur Zheji, thotë se më në fund u kry. Për të, “Ekuacioni është shumë i qartë, dolëm nga getoja, mbas më shumë se 70 vjetësh. Një geto e ndërtuar në fazën e parë “me forcat tona”, nën udhëheqjen e Partisë së Punës, me bunkerë, me tela me gjemba, me propagandë, me toga pushkatimi, me një luftë imagjinare kundrejt “rrethimit të egër imperialisto-revizionist”. Sipas Zhejit, “ky rrethim, na la brenda një burgu të madh. Të vetëburgosur, pra. Një mynxyrë e papërshkrueshme dhe krejtësisht e palavdishme”.
Ndërsa në fazën e dytë “getoja u ngrit me kurthin e piramidave financiare, me konfliktin tragjik dhe absurd njëherësh të vitit ’97, me tragjedi dhe mbytje të frikshme në Kanalin e Otrantos, apo me vdekje humnerash në malet dhe grykat e kufirit Shqipëri-Greqi, me murimin dhe blindimin e ambasadave, me tonelatat e shkresurinave burokratike të konsullatave, me vështrimet dyshuese mbas çdo dokumenti shqiptar”.
“E pra, U kry”, shprehet Artur Zheji.
Lexo edhe: Liberalizimi i vizave është realitet