in

Agon Channel. Drejtori i lajmeve Caprarica jep dorëheqjen

“E pamundur të punohej” pohon Antonio Caprarica, ish drejtori i Radio Rai Uno e tashmë edhe ish drejtori i lajmeve të Agon Channel. Sipas gazetarit, sipërmarrësi Becchetti nuk garanton mjetet e nevojshme si filmime, trupë televizive e burime njerëzore e materiale për realizimin e emisioneve

Romë, 16 dhjetor 2014 – Antonio Caprarica jep dorëheqjen nga drejtimi i lajmeve të Agon Channel Italia. Lajmi bën bujë në Itali, po aq sa dy javë më parë bënin bujë emrat e rëndësishëm (të paktën dikur) që Becchetti po mblidhte rreth vetes për kanalin e ri italo-shqiptar.

Që ishte low cost, dihej, me këtë mburrej Alessio Vinci kur reklamonte kanalin në mediat italiane. Por me sa duket, qenka tepër “low cost” aq sa, sipas Caprarica-s, është e pamundur të bëhet punë cilësore.

“Antonio Caprarica braktis Agon Channel”. Vetëm dy javë nga inaugurimi i zhurmshëm i kanalit në Milano, me praninë edhe të yllit hollivudian Nicole Kidman, mbërrin edhe divorci i parë po aq i zhurmshëm. Lajmin e përcjellin të gjitha mediat italiane, duke filluar nga La Repubblica e Il Corriere della Sera që shpjegojnë edhe arsyet e Capraricas. “E pamundur të punohej” pohon Caprarica, sipas të cilit sipërmarrësi Becchetti nuk garanton mjetet e nevojshme si filmime, trupë televizive e burime njerëzore e materiale për realizimin e emisioneve të lajmeve.

“Bëra të pamundurën për të siguruar transmetimin e lajmeve Agon News, – thotë gazetari në një komunikatë për shtyp – E ishin plot 10 edicione të emisionit të lajmeve në ditë, një program mëngjesi I Primi, dhe pesë emisione mbrëmjeje Times Square në javë. Të gjitha me vetëm nëntë redaktorë”. “Pa asnjë producent, autor apo sekretare redaksie. Me vetëm një telefon për të gjithë, e pa asnjë printer” pohon Caprarica që pranon se deri më sot “është bërë mrekullia por nuk mund të vazhdohet më gjatë as duke vazhduar të shtrydhim bashkëpunëtorët siç kemi bërë deri më sot”. Madje edhe “mundimi duket i shkuar dëm kur sheh programimin e kanalit që në mungesë të një magazine, ofron përsëritje pas përsëritjesh, deri edhe të festës së inaugurimit më 25 nëntor, siç mund të kenë verifikuar me trishtim edhe vetë telespektatorët”

Studiot hollivudiane “me të cilat mburrej sipërmarrësi për t’u hedhur hi syve ndonjë reklamuesi naiv? Mjaftojnë pak shembuj për të kuptuar për çfarë flitet: dhomat e montazhit të emisioneve të lajmeve janë disa kontejner as të izoluar nga zhurmat, aq sa kur bie shi, për shkak të shurmës së ujit mbi çati, nuk mund të regjistrohet e duhet kërkuar ndihmë në dhomat e kanalit shqiptar, brenda kapanonit, natyrisht po të jenë të lira. Emisioni i lajmeve nuk ka një studio (është vetëm “virtuale”), nuk ka një trupë televizive, dhe mbyllet e regjistrohet të paktën një orë e një çerek përpara se të transmetohet në Romë, e ndodh shpesh që lajmi vjetërohet. Të vetmet materiale të filmuara janë ato të agjencive ose të YouTube”. E sikur të mos mjaftonin këto, “edhe ata pak redaktorë që kemi, u hiqen lajmeve dhe përdoren nga botuesi Becchetti në “talent show” të improvizuara nga sot nesër, vetëm për të mbushur programin ditor”.

“Disa herë i parashtrova situatën Becchettit pa pasur asnjë rezultat – vazhdon Caprarica – Protestave që i bëja, u përgjigjej se nuk besonte se kush punon 12 orë në ditë duhet të jetë medoemos i pakënaqur”.

Për këto arsye e në këto kushte gazetari thotë se “për të ruajtur dinjitetin e historinë e vet profesionale, e mbi të gjitha për ndershmëri ndaj publikut” braktis menjëherë Agon Channel, pa përjashtuar asnjë “akt në mbrojtje të imazhit” të vet.

Fotoja është e fundit të nëntorit pas ceremonisë në Milano për nisjen e transmetimit në Itali të Agon Channel

Piacenza. Kapërcen shinat e nuk dëgjon trenin që afrohet. Vdes 27-vjeçari

Përtërihet marrëveshja e konvertimit të patentave shqiptare