Mes miqsh e kolegësh italianë, somelierja shqiptare Daniela Meçaj ka prezantuar në Torino disa verëra të kantinës Arbëri. Në rreshtat e mëposhtëm sjell mbresat e saj nga ky “takim” i italianëve me verën shqiptare
Herë pas here kthehem të shkruaj disa rreshta në gjuhën time, e aq më tepër për fushën që e njoh disi, por që dhe e adhuroj. Pikërisht mbi verën. Këtë pije të mrekullueshme që poetë e njerëz të ditur i kanë dedikuar jo pak rreshta. “Jeta është shumë e shkurtër për të pirë verëra të këqija.” shkruante Veronelli, ai personazh që i dedikoj tërë jetën e verës.
Nëse do isha ulur vite më parë të shkruaja për një verë, nuk e di nëse do shkruaja mbi verërat e vendit tim. Arritur në këtë moshë, o për memorie të shkurtër, o sepse ndoshta ndjesia e shijes nuk është mrekulluar ndonjëherë sa të memorizoj shijen e një vere të vendit tim. E sot, jam në gjëndje të flas diçka; Dhe tani do ju tregoj përsenë.
Idea për të bërë një degustim të verërave shqiptare, më lindi rreth 3 vjet më parë. Po degustoja me kolegët e mi disa verëra shqiptare të sjella nga enologu, Doktor Alberto Cugnetto, i cili bashkëpunon prej disa vitesh me Shqipërinë. Kolegët e mi ndërsa pinin, më hidhnin shikime pyetëse se si ka mundësi që ka verëra të tilla. Sigurisht, jo për mirë. Alberto Cugnetto pasi mbaruam punën tonë sqaroj se ato verëra ishin të marra direkt nga vaskat e hekurit nëpër kantina të ndryshme. Atë ditë ia premtova një degustim të verërave shqiptare.
U mundua të bëhej realitet vetëm me 22 janar të këtij viti me pjesëmarrjen e kantinës Arbëri. Në krye të 2 orëve të gjitha vëndet ishin të prenotuara. E nuk ishin pak, 70 gjithsej. Të gjithë profesionistë dhe të apasionuar, kureshtarë për të njohur verën e vendit fqinj. Nuk mund të përshkruaj emocionet e asaj mbrëmjeje.
Mundohuni të viheni në vendin tim, e ndoshta diçka do kuptoni. Isha mes miqsh e shokësh italianë, por përballë kisha miqtë e vëllezërit shqiptarë. Shkëmbenim buzëqeshje me zotin Fran Kaçorri, e djalin e tij, Rigers. Ishin buzëqeshje kurajimi. Unë për t’i thënë që gjithçka do shkojë mirë, dhe ata për të më thënë, mos u shqetëso, do dalë me sukses.
Zoti Fran me thjeshtësinë e një babaxhani filloj të tregoj historinë e lindjes së kantinës së tij. E me të njëjtën virtyt i biri përkthente fjalët e të atit. Ishte i përmbledhur fjalimi, pasi të dy e kishin të qartë, që protagonisti i vetëm i asaj mbrëmjeje ishte vera, e vetmja ndrojtje ishte nëse do i nderonte apo jo. Ndaj rruga e hapur për këtë sfilatë.
Vendi i parë në degustim iu la verës së fundit të prodhuar nga kantina. Spumante Arbëri. E para spumante shqiptare kishte kaluar kufijte e shtëpisë së saj dhe po prezantohej tek fqinjët, të cilët e pritën si një foshnje të sapolindur kurioz për ta parë e shijuar.
Sheshi i Bardhë 2013 u prezantua me shumë personalitet. Ngjyra dhe aromat ishin intense, gjë që pasqyronin veçantitë karakteristike të këtij vreshti autoktonë shqiptar. Qartësia e pastërtia e ngjyrës ishin elementë kompletues për një verë interesante dhe e ndryshme nga Metodo Classico me bazë Chardonay. Kallmeti hapi siparin me prodhimin e 2013 e vazhdoj 2010. Aromat ishin tashmë një bouquet. Sikurse prindëri nuk mund të flasi mirë për fëmijën e tij, përshkrimi i këtyre verërave iu kërkua ta bënte Alberto Cugnetto, ndoshta i vetmi italian i pranishëm që njihte mirë atë verë dhe atë zonë. E kështu ishte. Ai ishte në gjëndje të përshkruante rrugët dhe pejsazhin për të arritur deri në Bukmir. I ftoi të pranishmit të bënin një udhëtim në Shqipëri e të zbulonin atë pamje që nuk të bie rasti shpesh ta gjesh. I dha ngjyrë e poezi çdo vere të shërbyer. I lidhte sinonime të ndryshme çdo viti prodhimi. Rezervat e Kallmetit të cilat ishin 2010, 2009, 2006, 2005, 2004, ishin çdo verë një spektakël. Aromat dhe trupi ishin pasqyra e tokës dhe punës së prodhuesit. 2010 u shfaq si një verë e re dhe elegante, 2009 kishte trup të fortë e strukturë të fuqishme dhe tanini mirë prezenti që të bënin ta krahasoje me një Barolo të famshmëm të zonës së Langhe Piemonte. Por surpriza e vërtetë ishte 2006 me një shije elegante dhe të vazhdueshëm. Një verë e vërtetë meditimi. E një 2005 akoma e re dhe e freskët, e ngjashme nga struktura me verërat e famshme italiane dhe ato francese të Borgonjës. 2004 një verë e gatshme për t’u pirë. Kallmeti si vresht autokton shpreh aromat e vëndit që ka zgjedhur për të rritur frutet e saj. Përmblidheshin në të ato aroma që ndoshta i kisha harruar. Ndjeje aromën e thanës të pjekur, e mollës së kuqe, e frutave të pyllit, e kumbullës të pjekur shumë, aq sa hedh dhe frutat përtokë. Ishin aroma Shqipërie. Çdo verë një poezi më vete. Kurioziteti ishte i madh për të shijuar verën shërbyer Papës me rastin e vizitës në Shqipëri. Ishte Rezerva 2005. Një mrekulli!
Asnjë nga të dhjetë verërat, miqtë e mi, nuk bënë figurë të keqe. Nderimi që i bënë babait të tyre, prodhuesit, mua si iniciatore e këtij eventi, vëndit tonë, ishte i padiskutueshëm. Të gjithë donin të njihnin këtë vend të vogël e të bukur. Euforia për këto verëra të mrekullueshme kishte arritur shkallën më të lartë. E në fakt për herë të parë në atë sallë bëheshin duartrokitje që ndërpritnin degustimin. Asnjëherë nuk kishte ndodhur më parë. Ishin duartrokitje inkurajimi, respekti e mirënjohje për çfarë po provonin miqtë e mi italianë. Dhe unë isha e lumtur. E doja sot të ndaja me ju atë krenari dhe lumturi që ndjeva. Shpresoj të kem qënë në gjëndje, por dhe nëse kjo nuk është e mundur jam në borxh vendit tim e kantinës Arbëri që më nderuan në tokë të huaj. Dhe na takon neve që dhe me arritje sado të vogla, të bëjmë të dëgjohet zëri i suksesit dhe tek ai prodhuesi i vogël i verërave për të kuptuar se nëse mbi krijesën e tyre vënë, dashuri, kujdes dhe seriozitet, mund të përfaqsohen dhe nderohen nëpër botë. Është vetëm fillimi i një historie që do ia pasojnë brezave në vazhdim. Ndaj të fillojmë të shkruajmë e të hedhim themele të forta. Vetëm këto të fundit do jenë në gjëndje të mbajnë muret e të ardhmes.
Falenderoj zotin Fran Kaçorri, djalin e tij Rigers Kaçorri për pjesmarrjen dhe përfaqësimin, delegatin FISAR për Torinon Doktor Roberto Rabachino i cili beson në kulturën dhe verërat shqiptare dhe enologun Doktor Alberto Cugnetto, për çdo mesazh dashurie që përcolli atë mbrëmje për verën dhe vëndin tonë.
Daniela Meçaj, Torino