“Sue proprie mani”, videoinstalacioni i dy artistëve shqiptarë, hedh dritë mbi një fakt historik të harruar, fatin e 24 mijë italianëve të mbetur në Shqipëri pas luftës së dytë botërore. E bën duke ofruar copëza të korrespondencës së atyre italianëve të Shqipërisë të 70 vjetëve më parë që regjimi komunist i bllokoi duke mos lejuar kurrë dorëzimin në duart e atyre të cilëve u drejtoheshin.
Në MaXXI, salla Gian Ferrai, nga 2 prilli deri më 7 qershor 2015
Nga 2 prilli deri më 7 qershor 2015, dy artistë shqiptarë, Adrian Paci e Roland Sejko, do të jenë të pranishëm në MaXXI të Romës, me një vepër të përbashkët. Është fjala për videoinstalacionin e quajtur “Sue proprie mani”.
“Sue proprie mani” hedh dritë mbi një histori të pasluftës së dytë botërore të lënë disi në hije, atë të italianëve të mbetur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943. Rreth 24 mijë ish ushtarëve, punëtorëve, mjekëve, inxhinierëve që kishin shkuar në Shqipëri gjatë pushtimit fashist, me përfundimin e luftës dhe ardhjen në fuqi të Enver Hoxhës, jo vetëm që nuk u lejohet të kthehen në shtëpi por u ndalohet edhe çdo kontakt i mundshëm me të afërmit. Mbahen peng të një loje politike mes dy vendeve që do të zgjasë vite.
Vetëm pak vjet më parë, në Arkivin e Shtetit në Tiranë u gjetën dy thasë me etiketën “Korrespondenca e shtetasve italianë në Shqipëri”. Njëri kishte qindra letra, tjetri zarfet e tyre, të hedhura të gjitha rrëmujshëm. Është fjala për letrat që çonin apo u vinin mijëra italianëve të mbetur në Shqipëri, të shkruara kryesisht gjatë viteve 1945-1946 që nuk iu dorëzuan asnjëherë personave të cilëve u drejtoheshin.
“E dashur nënë, u bënë tre vjet që nuk shihemi e prej 16 muajsh nuk kam marrë asnjë lajm prej jush…”. “Nuk e dimë kur mund të na riatdhesojnë, nëse do të na riatdhesojnë…”. “Pas muajsh e muajsh të tërë që nuk kam asnjë lajm prej teje, nuk mund të ta fsheh më, babai të vdiq tetë muaj më parë…”.
Paci e Sejko nisen nga këto letra për të realizuar një video-instalacion në disa ekrane, në të cilat gjashtë personazhe shfaqen e zhduken në gjysmerrësirën e mbrëmjes. Ndoshta autorët e letrave, ndoshta ata të cilëve letrat u drejtoheshin, apo edhe thjesht dëshmitarë të asaj epoke, janë të zhytur në mendimet e tyre ndërsa në dëgjohen fragmente nga letrat që kurrë nuk u lexuan. “Sue proprie mani” është një reflektim mbi temën e humbjes, çrrënjosjes, pamundësisë së komunikimit, të ndikimit të pashmangshëm të Historisë në fatet e individëve.
Adrian Paci, prej vitesh në Milano, një ndër artistët më në zë në Itali, dhe Sejko, në Romë, gazetar e regjisor, në vite kanë trajtuar më parë eksodin e viteve Nëntëdhjetë të mijëra shqiptarëve drejt perëndimit, me arsyet dhe pasojat e tij, duke i dhënë një kuptim universal. Paci, përmes veprave të tij që flasin për largësinë, konfliktin, punën, dinjitetin; Sejko, me dokumentarin Anija (i vlerësuar me David di Donatello 2013), ka treguar fytyrën e historinë e personave që përbënin turmën e migrantëve shqiptarë që zbarkonin në brigjet e Puglies, e përmes këtij procesi individualizimi u ka mundësuar të gjithëve të gjenin vetveten në personazhet e Anijes.
In italiano: Paci, Sejko e le lettere perdute degli italiani in Albania