in

“Shqipëria vendi përballë” në ditët e kulturave në Alba

Në kuadrin e ditëve “Macrame: Gërshetime të kulturës dhe të kulturave”, të shtunën më 27 nëntor, në orën 18.00, në Alba (Sala B. Fenoglio, Stanza dei Mondi, Cortile della Maddalena) do të shfaqet filmi dokumentar “Shqipëria vendi përballë”

Macrame: Gërshetimi i kulturave. Kështu kanë marrë emrin tre ditët e nëntorit (nga 25 deri më 27 nëntor) dedikuar kulturave imigruese në qytetin e Albës (Cn). Një program i pasur takimesh dhe reflektimesh mbi  emigracionin.

Dokumentari “Shqipëria vendi përballë” i regjisorit Roland Sejko do të përfaqësojë pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar , në këtë eveniment që kërkon të pasqyrojë identitete, realitete dhe probleme të ndryshme me të cilat po përballet imigracioni në këtë qytet dhe në mbarë Italinë.

Në ditët e kulturave imigruese, hapësirat e veçanta kushtuar komuniteteve të veçanta, si projeksioni i dokumentarit “Shqipëria vendi përballë” përqendrojnë vëmendje më të madhe ndaj tyre. Është hera e parë që qytetit, i cili njeh një prani relativisht të hershme të shqiptarëve, që prej viteve ’90, i jepet mundësia të njohë përmes një veprimtarie artistike dhe informuese mbi komunitetin shqiptar. Mbrëmja e datës 27 nëntor kur do të paraqitet dokumentari dhe do të marrë pjesë regjisori Roland Sejko është ideuar dhe realizuar nga shoqata Shqiptare TRINNA (Transational Reunion in Native Albanian Association, Associazione dell Unione Trans Nazionale).

Një tjetër moment interesant jo vetëm per komunitetet e huaja por edhe për vetë italianët, do të jetë takimi, të premten më 26 nëntor, në orën 18.00, me shkrimtarin dhe gazetarin Tahar Lamri që do të flasë mbi marrëdhënien e vështirë mes medias dhe të huajve. Do të zhvillohet edhe një kurs formimi për mësuesit e shkollave të qytetit me titull Mediat dhe imigracioni (të shtunën, më 27 nëntor, në orën 14.00-18.00).

Ditët kushtuar kulturave imigruese është një projekt i Bashkimit Europian kushtuar edukimit dhe zhvillimit të komunikimit. Bashkëpunojnë  dhe Territori di Soliedarieta, Ufficio Pace e qytetit të Albës dhe e Shërbimit për të huaj, si dhe shoqatat e huaja të territorit.

Manifesti i veprimtarive

Informacion dhe Identitet në Parma

Vizita të udhëhequra të “Albania fra lussi e splendori”