in

Futboll. Shqipëria, e treta në grup për shkak të golit të pësuar nga Danimarka në Elbasan

Kur pikët janë të barabarta, në radhë të parë merren parasysh takimet e drejtpërdrejta dhe pastaj golavarazhi i përgjithshëm

Tiranë, 15 korrik 2015 – Ndokush mund të ketë parë edhe ndonjë komplot kundër Shqipërisë në renditjen e përditësuar të botuar nga UEFA të grupit I të eliminatoreve për kampionatin evropian të futbollit Francë 2016. Jemi të tretët në grup e jo të dytët siç nxituam të shkruajmë të gjithë të përfshirë nga entuziazmi i vendimit pozitiv mbi ndeshjen me Serbinë.

I ramë shkurt e nuk i hodhëm një sy rregullores: me trepikëshin e tre golat e marrë në tavolinë kundër Serbisë, Shqipëria ka 10 pikë, sa Danimarka, dhe, meqë ka golavarazhin më të mirë se ajo, menduam (e shkruam) që renditet e dyta në grup.

Por arsyet pse jemi të tretët pas Portugalisë e Danimarkës janë të thjeshta. I sqaron sot edhe një komunikatë e FShF-së. Renditemi pas Danimarkës, sepse para golavarazhit janë më të rëndësishme ndeshjet e drejtpërdrejta, siç parashikohet nga neni 13 i rregullores së kampionatit: pikët e fituara në to (të njëjta, sepse ndeshja e vetme doli 1-1), diferenca e golave (0 sepse 1 bëmë e 1 pësuam), numri i golave i shënuar në fushën kundërshtare. E me këtë të fundit na e merr Danimarka vendin e dytë në grup: ka shënuar 1 gol në fushën tonë, në Elbasan Arena.

Asgjë për t’u bërë merak. Nëse më 4 shtator fitojmë në Kopenhagen, apo barazojmë të paktën 1-1, vendi i dytë është i yni.

Renditja në grupin I:
1. Portugalia 12
2. Danimarka 10
3. Shqipëria 10
4. Armenia 1
5. Serbia -2 

Karta e qëndrimit pas pesë vjetësh në Itali. Edhe me lejeqëndrim për studime?

Shtetësia italiane. Rinis rrugëtimi i reformës në Dhomën e Deputetëve