Në vitin 2015 llogaritet të paraqiten mbi 130 mijë kërkesa, katër herë më shumë se në 2006-tën. Alarmi i prefektit Morconi të ministrisë së Brendshme: “Deri tani, e anuluar çdo përpjekje për të përshpejtuar kohën e shqyrtimit të praktikave”
Romë, 21 korrik 2015 – Nëse Parlamenti do të ndryshojë më në fund rregullat mbi shtetësinë, duhet të shpikë edhe një mënyrë të re për shqyrtimin e kërkesave. Ose të fuqizojë, e shumë, personelin që merret me to.
Përndryshe? Kohë gjithnjë e më të gjata për përgjigjet, përtej dy vjetëve të parashikuara nga ligji. Edhe për faktin se numri i kërkesave po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme: nga 30 mijë të vitit 2006 në 101 mijë të vitit 2014. Dhe vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë paraqitur 67.822, e nëse do të vazhdojë kështu, 2015 do të mbyllet me të paktën 130 mijë kërkesa.
“Në këto kushte nuk do të arrijmë kurrë t’ia dalim”. Kështu ka pohuar në Dhomën e Deputetëve më 15 korrik Mario Morcone, kreu i departamentit për Liritë Civile dhe Imigracionin të ministrisë së Brendshme. “Ne përpiqemi në të gjitha mënyrat të përshpejtojmë – shpjegoi ai – me racionalizim, thjeshtëzim dhe informatizim të praktikave, por shtimi i kërkesave anulon çdo përpjekje”.
Nga maji 2015, kërkesat e shtetësisë paraqiten online. Kjo ndoshta ua thjeshton gjërat aplikuesve por jo ministrisë së Brendshme. “Edhe futja e sistemit të ri ka sjellë rritjen e mëtejshme të numrit të kërkesave”.
Përpara deputetëve të Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, të angazhuar për të disatën seri seancash dëgjimore mbi reformën e shtetësisë, Morcone shprehu besim në një zgjidhje për të miturit e lindur apo të ardhur në Itali që të vegjël, dhe dha pëlqimin e tij për reduktimin e viteve të rezidencës për natyralizimin e të rriturve, që sot është dhjetë vjet. Por ngriti zërin veçanërisht mbi vonesat administrative.
“Nevojiten forma decentralizimi të shqyrtimit të praktikave, që do të ndihmonin në përshpejtimin e kohës së lëshimit të dekreteve për dhënien e shtetësisë ose për hedhjen poshtë të kërkesën” sugjeroi prefekti. Me fjalë të tjera: le të jenë të tjera zyra, në nivel vendor, që të vlerësojnë kërkesat e shtetësisë. Morcone nuk shpjegoi se cilat zyra ka ndër mend, por ndërkaq i përcolli Komisionit “me dhimbje”, fjalët e tij, të dhënat aktuale mbi praktikat e prapambetura.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)