Javën e ardhshme, në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese, sinteza e propozimeve për ligj mbi rregullat e reja për t’u bërë italianë. Për të mitur dhe të rritur.
Romë, 24 korrik 2015 – Tashmë duket vërtet çështje ditësh. Duke përjashtuar ndonjë shtyrje të papritur, javën e ardhshme në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese e Dhomës së Deputetëve do të paraqitet më në fund një tekst i unifikuar për reformën e shtetësisë.
Rezultat i një “sinteze” të mundimshme të 24 propozimeve për ligj mbi këtë temë të paraqitura në Parlament, do të jetë pikërisht ky tekst baza e nisjes për të rishkruar rregullat e marrjes së shtetësisë italiane. Deputetët e komisionit do të propozojnë e do të votojnë ndryshimet, por në fund duhet të nxjerrin një tekst të vetëm e ta paraqesin në Sallë.
Çfarë do të jetë shkruar? Padyshim do të jenë propozimet për shtetësinë e të miturve, të ashtuquajturit brezat e dytë, sipas parimit ius soli i zbutur: italian kush lind këtu apo vjen i vogël, por vetëm nëse prindërit janë rezidentë të rregullt prej një numri të caktuar vitesh dhe/ose nëse ndjekin në Itali një cikël studimesh.
Me shumë mundësi, të paktën në tekstin e parë do të gjejnë vend edhe propozimet për shkurtimin e kohës së nevojshme për natyralizimin e të rriturve: sot nevojiten dhjetë vjet rezidencë. Të paktë ata që mendojnë se edhe kjo pjesë e reformës mund të aprovohet, pasi deri tani është gjetur mirëkuptim transversal vetëm për të miturit.
Teksti pritej të mbërrinte dje, por raportuesja MarilenaFabbri (Partito Democratico), edhe në emër raportueses tjetër Annagrazia Calabria (Forza Italia), tha se ata kishin nevojë për disa ditë më shumë “për të kryer hulumtime të detajuara”. “Do të jemi në gjendje të paraqesim një tekst i unifikuar – u siguroi Fabbri kolegëve – në mbledhjen e datës 29 korrik”.
Të presim e të shohim ç’bereqet do të sjellë e mërkura.