in

Futboll. Skënderbeu në histori: e para skuadër shqiptare në play off-et e Champions League

Me fitoren e dytë 2-0 përballë moldavëve të Milsamit, Skënderbeu arriti diçka që asnjë nga klubet shqiptare nuk e ka realizuar deri më sot. Korcarët u kualifikuan për në play off të Champions League. Nëse ëndrra do të vazhdojë edhe një raund, do të kemi më në fund të parën skuadër shqiptare në grupet e Ligës së Kampionëve (videot e dy golave)

Elbasan, 6 gusht 2015 – Skënderbeu është e para skuadër në historinë e futbollit shqiptar që ka mbërritur në fazën e play off-it në Champions League. Mbrëmë, korçarët mundën me rezultatin 2-0 Milsamin në “Elbasan Arena” duke përsëritur suksesin e arritur dy javë më parë në Moldavi në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator.

Ky rezultat do të thotë pjesëmarrje direkte në fazën e grupeve në League, në rastin më të keq, teksa rasti idaeal do të ishte kualifikimi në fazën e grupeve të Champions League. Kjo është një arritje rekord për futbollin tonë, duke e bërë Skënderbeun të parën skuadër të kampionatit shqiptar që shkon kaq larg.

Skuadra nga Korça arriti jo vetëm të administrojë rezultatin, por të marrë dhe një fitore të dytë ndaj Milsamit, duke arritur të shfrytëzojnë mirë të gjitha hapësirat e nevojshme për të gjetur dhe avantazhin. Skuadra shqiptare dominoi ndeshjen, duke shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, pasi miqtë mbetën me dhjetë lojtarë që në minutën e 14-të, kur Androniç shkaktoi një ndërhyrje të ashpër ndaj Eskardinjës, gjë që detyroi gjyqtarin t’i tregonte kartonin e kuq.

Skënderbeu vinte në këtë përballje pas fitores në Moldavi me rezultatin 2-0. Ndeshja për shkak të arsyeve të sigurisë u vendos të luhej në “Elbasan Arena”, që shumë shpejt u kthye dhe në teatrin e festës së bardhekuqve.

Goli i parë u shënua që në minutën e 16-të të takimit nga Hamdi Salihi.

Pjesa e dytë nisi akoma më vrullshëm për korçarët, që ende pa kaluar 10 minuta shënuan edhe golin e dytë, me autor Gerhard Progni. Pjesa tjetër e lojës ishte thjesht një formalitet.

Kështu, djemtë e Mirel Josës, në përfundim të dy takimeve me moldavët kanë arritur t’u bëjnë atyre 4 gola, tre prej të cilëve të shënuar nga Hamdi Salihi.

Kledi Kadiu bëhet baba

Romë. Arrestohen tre shqiptarë të armatosur