Deri tani janë përdorur rreth 20% e vendeve në dispozicion. Ministria e Brendshme dhe e Punës shtyjnë për më 31 dhjetor afatin për paraqitjen e kërkesave
Romë, 19 gusht 2015 – Zyrtarisht duhej të shërbente për të sjellë në Itali punonjës të huaj nga jashtë, por dekreti i fundit i flukseve nuk mund të thuhet se hapi vërtet kufijtë. Parashikonte vetëm 5.500 hyrje të reja e 12.350 konvertime lejesh qëndrimi kushtuar të huajve që jetojnë në Itali.
Gjithsej 17.850 kuota, për të cilat, siç parashikohej, nuk pati asnjë mësymje: deri ditët e para të gushtit ishin përdorur vetëm 21,8% e tyre. Për këtë arsye para disa ditëve u vendos të shtyhet “deri në orën 24.00 të 31 dhjetorit” afatin e fundit të vlefshëm për paraqitjen e kërkesave, që fillimisht ishte caktuar për në 29 gusht.
Shtyrja e afatit është lajmëruar me një qarkore të përbashkët të ministrisë së Brendshme dhe asaj të Punës.
Asnjë ndryshim mbi mënyrën e paraqitjes së kërkesave: pjesa më e madhe e kërkesave paraqiten online në faqet internet të ministrisë së Brendshme, personalisht apo me ndihmën e patronateve dhe shoqatave të kategorive. Për t’u futur në sistem është e nevojshme të regjistrohesh, më pas të zgjedhësh formularin e duhur:
Formulari A për kërkesa autorizimesh për bashkëpunëtorë familjarë me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Formulari B për kërkesa autorizimesh për punë të varur për punonjës me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;
Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve të futur në projekte speciale.
Kujdes, për hyrjen e punonjësve të pavarur parashikohet një procedurë e veçantë.
Këtu, qarkorja e përbashkët e ministrisë së Brendshme dhe e Punës