Nga sot deri në 16 shtator, sipas Krahinave, bie zilja e parë e vitit shkollor 2015/2016. Nxënësit e huaj, të paktën sipas pasaportës, mes reformës së shkollës dhe asaj të shtetësisë
Romë, 7 shtator 2015 – Pushimeve verore u ka ardhur tashmë fundi për rreth 8 milionë nxënës në mbarë Italinë. Duke filluar nga sao, me data që ndryshojnë nga krahina në krahinë, nis viti i ri shkollor 2015/2016.
Sot, të parët që kthehen në bankat e shkollave janë fëmijët e të rinjtë e provincës autonome të Bolzanos. Në pjesën dërrmuese të krahinave italiane zilja e parë do të bjerë të hënën e ardhshme, më 14 shtator, ndërsa të fundit që do të ulen në bankat e shkollave do të jenë nxënësit e Puglias fhe Venetos, për të cilët mësimi nis më 16 shtator. Në fund gjeni edhe kalendarin e plotë.
Në shkollat italiane do të kthehen apo do të ulen për herë të parë edhe rreth 800 mijë bij imigrantësh, ata që për statistikat e ministrisë konsiderohen “nxënës me shtetësi joitaliane”. Në të vërtetë, gjysma e tyre janë djem e vajza të lindur e të rritur në Itali, ndërsa të tjerët kanë ardhur këtu me prindërit apo përmes bashkimit familjar, e për këta problem i parë që duhet përballuar për të qenë në të njëjtin nivel me shokët e klasës është mësimi i italishtes.
Në këtë aspekt, reforma e fundit e shkollës e aprovuar para pak muajsh nga Qeveria premton hapa të rëndësishëm përpara. Në fakt, mes “objektivave formuese parësore” të shkollave futet edhe “alfabetizimi dhe perfeksionimi i italishtes si gjuhë e dytë”, gjë që duhet të realizohet përmes kurseve dhe laboratorëve. Ndërkaq mbërrin edhe një njohje ligjore për mësuesit e nivelit L2 të italishtes.
Për të gjithë studentët bij imigrantësh, ky mund të jetë një vit i rëndësishëm edhe në një tjetër aspekt: ndoshta reforma e shtetësisë më në fund merr udhën e duhur e i bën ata italianë. Edhe Parlamenti sapo ka nisur punën e tij e urojmë të miratojë të bekuarën reformë.
Kalendari i fillimit të vitit shkollor 2015/2016