Etiketimi “tradhtar” më ka lënduar sepse unë nuk ndjehem aspak i tillë, por një shqiptar i vërtetë. Jam me rrënjë shqiptare nga Tetova dhe zgjedhjen për të përfaqësuar Danimarkën e kam bërë, pasi askush nga drejtuesit e FSHF-së nuk kishte shprehur interesim për mua.
Riza Durmishi, shqiptari i kombëtares daneze, që debutoi me formacionin e Morten Olsenit ndaj kuqezinjve, më 4 shtator, në “Telia Parken”, përmes një interviste dhënë Reshat Ibrahimit për gazetën maqedonase Lajm, sqaron opinion në lidhje me akuzat që i janë bërë nga një pjesë e mediave shqiptare, sipas tij. Ai ka lindur në Danimarkë, por me origjinë është nga Kamenjani i Tetovës.
Luan për ekipin e Brondby, ndërsa tani është prurja më e re e formacionit përfaqësues të Danimarkës. Para ca ditësh luajti kundër Shqipërisë dhe u kritikua për tradhti. Ky etiketim i disa mediave e ka lënduar atë.
Si u ndjeve në ndeshjen ndaj Shqipërisë, në Kopenhagen?
Nuk u ndjeva mirë kur dëgjoja ofendimet që m’i bënë tifozët shqiptarë, sepse ata nuk e dinë historinë time që nga fëmijëria e deri sa u rrita, dhe përse kam vendosur të zgjedh Danimarkën para Shqipërisë. Kur ta mësojnë tani të vërtetën besoj se do të pendohen për vërshëllimat që m’i drejtonin atë mbrëmje.
Po, cila është e vërteta?
E vërteta është se Federata Shqiptare e Futbollit kurrë nuk më ka ftuar. Ju betohem se asnjëherë nuk më kanë bërë asnjë telefonatë. Ku ka shqiptar që nuk dëshiron të luajë për Shqipërinë? Edhe në damarët e mi rrjedh gjaku i shqiptarit, edhe unë jam shqiptar. Por s’jam ftuar. T’ju them edhe një realitet. Mua, para disa muajsh, më ftoi Maqedonia. Më është paraqitur një trajner shqiptar i Maqedonisë, por unë i thashë “Jo”. E tani, kur bëj zgjedhjen, sepse s’kam nga t’ia mbaj. FSHF-së i del gjumi, por tani, gjithçka është vonë.
Po etiketimet “tradhtar”, a të kanë lënduar?
Natyrisht që po, sepse unë nuk ndjehem aspak tradhtar, por një shqiptar i vërtetë. Jam me rrënjë shqiptare nga Tetova dhe, siç ju thashë edhe më lart, zgjedhjen e kam bërë, pasi kam parë se askush nga drejtuesit e FSHF-së nuk kishin shprehur interesim për mua. Unë këtu jam rritur, jam shkolluar dhe kur më erdhi koha për të vendosur, askush nuk më është paraqitur, prandaj vendosa të luaj për Danimarkën, sepse më duhej të mendoja për perspektivën time si futbollist.
Dua të sqaroj edhe një gjë, se kritikat e fundit që janë bërë ndaj meje nga ana e mediave dhe tifozëve shqiptarë kanë dalë pas deklaratave të mia në mediat daneze, ku këto të fundit kanë shtrembëruar deklaratat që u kam dhënë atyre.
A e di ai himnin shqiptar?
Po, e kam mësuar. Është himn me tekst shumë të bukur, që të emocionon. Edhe atë mbrëmje, kur e dëgjoja himnin shqiptar, u ndjeva i emocionuar.
Cilët lojtarë të Kombëtares shqiptare të pëlqyen më së shumti?
Lorik Cana ishte një top-futbollist, që i motivonte bashkëlojtarët e tij. Pastaj më pëlqeu portieri Berisha dhe Taulant Xhaka. Në përgjithësi, Shqipëria ka një kombëtare cilësore, nuk është ajo Shqipëri e viteve të kaluara, por një skuadër me lojtarë që luajnë në ekipe europiane.
Çfarë i dëshiron Shqipërisë në ndeshjen kundër Portugalisë, të hënën, në “Elbasan Arena”?
Po çfarë t’i dëshiroj, përveç fitores. Uroj të fitojnë, sepse edhe unë i gëzohem suksesit të Shqipërisë. Shpresojmë që në “Euro 2016” të kualifikohemi të dyja kombëtaret.
Lexo edhe:
“Patriotët” e paaftë dhe yjet “tradhtarë”
Shqipëri-Zvicër. Golat dhe tradhtia