in

Çeku i komunave për nënat e reja. Karta e qëndrimit nuk nevojitet

Edhe gjykata e Milanos hedh poshtë si diskriminues kriterin e lejeqëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë. Dhe urdhëron komunën e Milanos dhe INPS-in ta heqin nga faqet e tyre internet

Romë, 16 nëntor 2015 – Rreth 340 euro në muaj për pesë muaj pas lindjes apo birësimit të një fëmije.

Është çeku i mëmësisë i komunave, një ndihmë për nënat në gjendje jo të mirë ekonomike që nuk përfitojnë kompensime të tjera (për shembull, lejen e lindjes të paguar që gëzojnë punonjëset e varura). Kërkesa paraqitet në Komunën e rezidencës brenda gjashtë muajve nga lindja apo birësimi i fëmijës.

Çeku u takon qytetareve italiane, atyre të BE-së  dhe shtetaseve jokomunitare, por për këto të fundit, ligji që e ka parashikuar këtë çek (dekreti legjislativ 151/2001) kërkon që të kenë lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, të ashtuquajturën kartë qëndrimi.

Pikërisht ky kriter është hedhur poshtë si diskriminues nga gjykatës të ndryshëm, që kanë urdhëruar komunat e INPS-in të paguajnë çekun edhe nënave të huaja që kanë një lejeqëndrim “normal”, për shembull për punë apo për motive familjare. E para disa ditëve në të njëjtin përfundim arriti edhe gjykata e Milanos.

Gjykatësja Paola Di Lorenzo pranoi ankesën e paraqitur nga një grua egjiptiane e mbrojtur nga avokatët Livio Neri dhe Alberto Guariso të ASGI-t. Meqë nuk kishte kartën e qëndrimit, Komuna e Milanos nuk i kishte lejuar as të paraqiste kërkesën për çekun pas lindjes së fëmijës së katërt.

Qëndrimi i Komunës, lexohet në urdhëresën e 6 nëntorit, është “qartësisht diskruminues” ndaj duhet të ndalojë menjëherë. Gjykatësja kujton parimin e barazisë të garantuar nga Kushtetuta italiane dhe nënvizon se nuk ka asnjë arsye pse të lidhet një ndërhyrje në mbështetje për nënat me shtetësinë apo me kartën e qëndrimit.

Ndaj vendosi: Komuna duhet të pranojë kërkesën, t’ia përcjellë INPS-it, që duhet t’i paguajë gruas çekun e mëmësisë, me interest për vonesën. Gjykatësja ka urdhëruar gjithashtu Komunën dhe INPS-in të heqin kriterin e kartës së qëndrimit nga portalet e tyre internet, në faqet ku shpjegojnë kush ka të drejtën e çekut.

Shkarko:
Gjykata e Milanos, urdhëresa e 6 nëntorit 2015 (teksti i plotë në gjuhën italiane) 

 

Gjergji Kajana, publicisti beratas që synon politikën

Agon Channel Italia. Shkëlqimi (i shkurtër) dhe rënia e një televizioni