in

Zgjedhjet në Kosovë: kanë votuar 47,80% e kosovarëve

Prishtinë 12 dhjetor 2010 – Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, informoi në orët e mbrëmjes së sotme se pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë ishte 47,80%,  ndërsa procesi ishte i rregullt dhe nuk ka pasur parregullime serioze. Kryetarja Daka deklaroi se në votime morën pjesë 770  mijë votues. Pjesëmarrja më e lartë u vu re në  kryeqytetin Prishtinë me 55,2%, në Prizren me 44,33%, në Deçan me 43,43%, në Gjakovë me 40,30%.
Sipas saj vetëm nesër do të ketë një rezultat paraprak të votimeve.

Zgjedhjet në Kosovë janë monitoruar nga Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim. Më shumë se 5.000 vëzhgues janë të angazhuar në të gjitha vendvotimet në Kosovë, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Demokracia në Veprim ka njoftuar vendvotimet janë hapur, përkundër vonesave në disa vendvotime si pasojë e vonesave të materialeve të ndjeshme. “Vëzhguesit tanë kanë vërejtur se në disa vendvotime nuk kanë funksionuar llambat ultra-vjollcë për shkak të cilësisë së dobët të tyre. Në disa vendvotime procesi i votimit është ndërprerë për disa minuta derisa këto llamba janë zëvendësuar”, thuhet në një njoftim.

Gjenerali Erhard Bühler, Komandant i KFOR-it, sot pas mbylljes së vendvotimeve, vlerësoi ditën e zgjedhjeve në përgjithësi si të suksesshme për sigurinë dhe  stabilitetin në Kosovë.
“Situata në ditën e zgjedhjeve në Kosovë në përgjithësi ishte e qetë dhe stabile dhe nuk është raportuar ndonjë dhunë e rëndësishme. Nuk kishte asnjë shqetësim apo çrregullim të madh publik. Në parim, gjendja e sigurisë ishte nën kontroll të Policisë së Kosovës, që u mbështet nga policia e EULEX-it”, tha ai pas mbylljes së vendvotimeve nga zyra për informim e KFOR.
“Një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it ishte dhe ende është në gatishmëri dhe i përkushtuar që të mbështesë forcat policore, nëse kërkohet”, shtoi Bühler. Ai vlerësoi se dita në përgjithësi ishte një sukses dhe progres për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
“Por dënohet dëmtimi i qëllimshëm i shtëpisë sonë të Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim në Zubin Potok dhe është e qartë se ky krim është kryer për të frikësuar votuesit”, tha Bühler. Ai bëri të ditur se pas procesit të kujdesshëm të planifikimit, së bashku me Policinë e EULEX-it dhe PK-në, KFOR-i ka rreshtuar 1.140 ushtarë në vende të ndryshme për të ndihmuar në normalitetin e votimit.
Pjesëtarët e KFOR-it në përgjithësi kishin shtuar dukshmërinë e tyre në ditën e zgjedhjeve. Shtabi i Përgjithshëm në Prishtinë dhe në Grupet Shumëkombëshe Luftuese kanë qenë dhe janë me efektiv të plotë në monitorimin e çdo situate në zona të ndryshme të përgjegjësisë dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme, nëse kërkohet.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, tha gjatë ditës së sotme edhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Pieter Feith. “Përmes votimit ju do të vendosni për fatin tuaj gjatë katër vjetëve të ardhshme. Natyrisht është me rëndësi që këto zgjedhje të jenë të rregullta, pasi kjo do të ketë ndikim shumë pozitiv në imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi Feith në qendrën e votimit në shkollën “Sami Frashëri”, në Prishtinë. Feith ka vizituar sot disa qendra votimi në Prishtinë, Skënderaj, Prilluzhë dhe Ranillug, ku ka përshëndetur komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve.

Liberalizimi i vizave, rritje e numrit të turistëve shqiptarë drejt BE-së

Zgjedhjet në Kosovë. DnV: PDK 30,69 %, LDK 26,2 %, Vetëvendosje 12,78 %