in

Reforma e shtetësisë. Mbyllet diskutimi i përgjithshëm, tani mund të ndryshohet teksti

Mazhoranca dhe qeveria të gatshme për ndonjë ndryshim të vogël: më i kërkuari është heqja e kriterit të kartës së qëndrimit për prindërit. Forza Italia kundër reformës: “Ligji në  fuqi është i ekuilibruar”

 

Romë, 4 shkurt 2016 – Reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve hedh një hap përpara në Senat.

Dje në Komisionin për Çështjet Kushtetuese u mbyll diskutimi në linja të përgjithshme mbi projektin e ligjit të miratuar në tetorin e shkuar në Dhomën e Deputetëve që nëse miratohet mund “t’i dhurojë” menjëherë Italisë 800 mijë shtetas të rinj. Tani parashikohen disa seanca të shpejta dëgjimore me ekspertë dhe shoqata, më pas do të kalohet në shqyrtimin e amendamenteve dhe votim që do të paraprijë përcjelljen e tekstit në sallë të Senatit.

Por është mirë të frenohet menjëherë entuziazmi i mijëra “italianëve me leje qëndrimi” e it ë gjithë atyre që ndiejnë aromën e një kthese epokale. Reforma e shtetësisë ka shance të mira, nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë sa sot, pasi përveç vullnetit politik duket se ka edhe numrat nga e saja. Por për të arritur deri në miratimin përfundimtar të saj do të nevojiten akoma javë, në mos muaj të tërë.

Nëse teksti i miratuar në Dhomën e Deputetëve do të modifikohet në Senat, do të duhet të kthehet sërish në Dhomën e Deputetëve për miratim. Ai tekst është “i blinduar” vetëm përsa u përket aspekteve thelbësore (reforma ka të bëjë vetëm me brezat e dytë, parimi “ius soli” duhet të jetë i zbutur, i duhet dhënë rol i rëndësishëm shkollës), por mazhoranca, raportuesja dhe qeveria janë të gatshme të bëjnë ndonjë ndryshim të vogël edhe të rëndësishëm. Ndërhyrja në tekst që më shumë kërkohet është heqja e kriterit të kartës së qëndrimit si dokumenti që duhet të kenë prindërit në mënyrë që fëmija të marrë automatikisht shtetësinë italiane.

Kriteri i kartës së qëndrimit, i kërkuar nga Nuovo Centro Destra, shumëkujt i duket diskriminues sepse karta e qëndrimit varet edhe nga të ardhurat e strehimi e për rrjedhojë penalizon bijtë e imigrantëve më të varfër. Për më tepër, shqetësojnë praktikat e disa kuesturave që nuk lëshojnë apo edhe heqin kartën e qëndrimit sipas vetëgjykimit të tyre. Zëvendësimi i këtij kriteri me 5 vjet rezidencë të rregullt, për shembull, do të lejonte kapërcimin e këtij diskriminimi.

Ndërkaq, duket se nuk ka të çara as nga fronti atyre që nuk e duan reformën me Legën prej kohësh kundër dhe Forza Italia-n që duket se e ka harruar krejtësisht një mendim të sajin pro dhënies së shtetësisë bijve të imigrantëve pas një cikli shkollor, të shprehur edhe nga vetë Berlusconi. Dje kanë marrë fjalën në Komision Maurizio Gasparri dhe Domenico Scilipoti, dhe që të dy kanë quajtur ligjin aktual mbi shtetësinë (që u mbyll dyert në fytyrë mijëra e mijëra fëmijëve e të rinjve të lindur e të rritur këtu) “të ekuilibruar”. Si për të thënë: “Jeni të çmendur që doni ta ndryshoni?”

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Pasaportat biometrike shqiptare, si aplikohet në Milano – udhëzues i përditësuar

Shtetësia për rezidencë në Itali – Udhëzues i përditësuar