in

Shfaqet në Torino filmi i ri i Erion Kadillit

Sono stato dio in Bosnia. Vita di un mercenario
E hënë 20 dhjetor, ora 21.00 – 23.30
Kinema MASSIMO Salla 3
Rruga Verdi, 18 – Torino
Hyrja falas

Të hënën më 20 dhjetor, në orën 21.00, në kinemanë Massimo të Torinos (salla 3) shfaqet filmi dokumentar “Sono stato dio in Bosnia. Vita di un mercenario” i regjisorit të ri shqiptar Erion Kadilli
Shfaqja e filmit organizohet nga shoqata Muzeu Italian i Kinematografisë, shoqata Piemonte Movie, Shoqata kulturore Vatra dhe shoqata Franti Nisi Masa. Filmi do të paraqitet nga vetë regjisori Erion Kadilli dhe nga Luca Rastello, autori i librit (La guerra in casa) ku mbështetet filmi. Në debat do të marrin pjesë edhe Vittorio Sclaverani, Alessandro Gaido, Benko Gjata e Simone Fenoil.

Një portret të shkurtër të dokumentarit të Kadillit e bën më së miri Luca Rastello që me librin “La guerra in casa” (Einaudi, 1998) ka frymëzuar filmin. Ja disa fragmente nga ky prezantim:

Ka dy cilësi të kundërta të të patolerushmes. Njëra, përballë të cilës nuk mund (apo ndoshta nuk duhet) të bësh tjetër veç të heqësh menjëherë sytë, diçka që është mirë të përjashtosh nga jeta, në të cilën është e shëndetshme të mos marrëhs pjesë. Ndërsa tjetra, të cilës nuk duhet t’ia ndash sytë, si për inat të tmerrit që përjeton, për t’u matur me anën e errët të botës ku jeton dhe të vetes. Në rastin e parë të mos shohësh është padyshim një e drejtë, në të dytin e ke për detyrë të hapësh sytë e të shohësh. Filmi i Erion Kadillit i paraqet të dyja këto cilësi, i mbivendos. Autori ka zgjedhur thuajse të mos bëjë montazh të imazheve duke mos dhënë gjykimin e duke ftuar spektatorët të ndajnë një thuajse-dorëzim të tronditur  përballë spektaklit të të keqes, spektaklit të vetes dhe të shpërbërjes së vet të dhënë nga Roberto Della Fave, mercenar, satanist, snaiper, profesionist i vdekjes.
Filmi ofron materiale për një reflektim mbi konceptin e të keqes, mbi imanencën e saj absolute, mbi banalitetin, mbi vanitetin, narcisizmin që sjell, mbi arratisjen, vetminë, mbi njëmijë argumente të mundshme dhe shqetësuese; një përmbledhje materialesh të cilat nuk ofrojnë një zgjedhje drejtimi, aq më pak një gjykim. Duket se spektatori ftohet t’i përdorë materialet si t’i shkojnë për shtat, të reagojë si të preferojë: me neveri, alarm, dhembshuri. Spektatori ka në dispozicion jetën e Robertos, imazhin që ai zgjedh të japë për të duke ndërthurur rrëfime vetëkënaqësie dhe autoakuza… Sekuenca më e tmerrshme e filmit, ajo në të cilën mercenari satanist i bën leksion një klase italiane të Fiume-s, të eksituar, të rrëmbyer, të admiruar nga bukuria e jetës së tij të mbrapshtë, nën sytë e një mësuesi të zënë ngushtë. Përballë entuziazmit të atyre fëmijëve, çdo skenë luftë, vdekjeje duket e pafajshme… (Luca Rastello)

Lexo edhe: Erion Kadilli: “Jam rritur në Itali por ndihem shqiptar”

Karta e qëndrimit: ja si prenoton testin e italishtes

Vdes Blerina nëna heroinë që shpëtoi nga zjarri tre bijtë e saj