in

Milano. Katër vjedhje shtëpish në një orë, arrestohet një bandë hajdutësh

Katër shqiptarë, me moshë nga 20 deri në 37 vjeç përfundojnë në burg të akuzuar për disa vjedhje

Romë, 1 mars 2016 – Komanda milaneze e karabinierëve ka arrestuar dje 4 shqiptarë të gjithë anëtarë të të njëjtës bandë e specializuar në vjedhje banesash. Konsiderohen përgjegjës për dhjetë vjedhje dhe gjashtë tentativa vetëm gjatë muajit shkurt në provincat e Padovës, Vareses dhe Vicenzës. Të arrestuarit e djeshëm janë Osvaldo Vuka 20 vjeç, Kristjan Tragaqi 23, Aldush Nikolli 27 vjeç dhe Stiljan Tryci 37, që të gjithë me precedentë penalë. Vepronin gjithnjë në të njëjtën mënyrë: me makinë – që u sekuestrua – shkonin në banesat e vëna në shënjestër, dy prej tyre hynin e  vidhnin, zakonisht sende me vlerë e para, njëri rrinte në makinë e i katërti ruante jashtë mos afrohej ndokush. Për të hyrë në shtëpi, hajdutët thyenin dyer ose dritare dhe pasi hynin brenda vepronin në pak minuta. Shpesh vidhnin disa shtëpi në një ditë, madje në dy data të shkurtit kanë arritur të vjedhin 3-4 banesa në një orë.

Karabinierët që ishin vënë në gjurmët e tyre kanë arritur të zbardhin ngjarjet përmes tabulateve telefonike, duke dokumentuar praninë e tyre në shtëpitë e vjedhura.

Të arrestuarit janë mbyllur në burgun e Monzës dhe në San Vittore të Milanos.

 

Gjuha dhe pakicat gjuhësore

Problemet e emigracionit në qendër të takimit të FNAI-it me zv/ministrin e Brendshëm Çipa