Prej një muaji për të nuk flitet më në komision, në pritje të thirrjes së seancave të reja dëgjimore. Miraglia (Arci): “Jemi të shqetësuar, kështu si është nisur rrezikohet që teksti të përkeqësohet e më shumë ose të çohet në një binari të vdekur”
Romë, 14 mars 2016 – Bijtë e imigrantëve mund të presin. Por tani duhet kuptuar mos ka ardhur dita të shqetësohen seriozisht.
Reforma e ligjit mbi shtetësinë, ajo që mund të bëjë italianë ata që lindin dhe ata që ndjekin shkollat në Itali, është bllokuar tashmë prej mëse një muaji në Senat, në pritje që të gjejë pak hapësirë në kalendarin (me sa duket) shumë të ngjeshur të senatorëve. E kushedi kur do t’ia dalë.
Hera e fundit kur në Komisionin për Çështjet Kushtetuese u for për të, ishte data 10 shkurt. Me mbylljen e diskutimit të përgjithshëm, për të cilin u deshën 4 muaj, u vendos që, para se të vihej dorë në tekstin e dalë nga Dhoma e Deputetëve, të vazhdohej me një cikël seancash dëgjimore me ekspertë dhe shoqata.
Që atëherë, ama, nuk është bërë as edhe një seancë dëgjimore. Grupet kanë thënë kë do të dëshironin të dëgjonin mes ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqatave, por presidenca nuk ka gjetur kohë as për miratimin e listës. E kështu, as në kalendarin e kësaj jave nuk ka gjurmë të reformës.
Filippo Miraglia, nënkryetar i Arci-t, ndien që diçka nuk shkon. “Shifrat dhe ekuilibrat e Senatit nuk janë në favor të reformës. Kemi frikë se teksti i saj mund të përkeqësohet. Në diskutimin e përgjithshëm mbi tekstin e miratuar në Dhomën e Deputetëve u konfirmua që qendra e djathtë është kundër dhe që Lëvizja 5 Yjet vazhdon të mos ketë një qëndrim të qartë. Jemi të shqetësuar” thotë për Miraglia për Stranieriinitalia.it.
E mazhoranca nuk reagon fare, përkundrazi. Zyrtarisht senacat dëgjimore duhet të shërbenin për të thelluar diskutimin mbi “elementë kritikë” të reformës që dolën në dritë gjatë diskutimit në Komision. “Duan të ngushtojnë edhe më shumë kategorinë e përfituesve? Apo duan të humbasin akoma kohë për të çuar reformën në një binar të vdekur?” pyet nënkryetari i Arci-t.
“Italia jam edhe unë”, mes nismëtarëve të të cilës ishte edhe Arci, mblodhi mbi 100 mijë firma për një propozim ligji popullor që Parlamenti tani po pranon, padyshim me shtrëngime nga ç’propozonin firmëtarët. “Do të diskutojmë edhe me nismëtarët e tjerë, por mendoj se është e udhës të organizohet një nismë për të nxitur senatorët të çojnë përpara reformën”.
Miraglia është i bindur se mbi të drejtat e brezave të dytë shoqëria italiane është shumë më përpara se Parlamenti. “E dëshmon këtë gjë mbështetja që qytetarët i dhanë fushatës sonë. Politika duhet të mos bëjë një vesh shurdh por të ndryshojë ligjin mbi shtetësinë”.
E nëse politika nuk dëshiron të dëgjojë qytetarët, të paktën t’u hedhë një sy të dhënave statistikore. “ISTAT – kujton Miraglia – thotë që Italia plaket e që popullsia e saj reduktohet. Fati ynë është të zhdukemi, ndërsa çdo vit lindin në Itali 70-80 mijë fëmijë që mbeten të huaj deri në moshën 18-vjeçare. Kemi nevojë për këtë gjak të ri e ata duhet të gëzojnë më në fund të njëjtat të drejta të fëmijëve të italianëve”.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)