in

Shqiptarët ia mbathin, politika merret me trenin e fëmijëve te Parku

Mediat hollandeze konfirmojnë se në dy muajt e parë të këtij viti ka pasur 480 kërkesa për azil nga shqiptarë e numri i tyre është më i lartë se i sirianëve. Por lajmi u tret nga përplasja e opozitarëve me policët tek këndi i lojërave te liqeni. Tash, që opozita ka përcaktuar betejën e saj kryesore për të rrëzuar qeverinë, pra ndalimin e trenit të fëmijëve tek Parku, me këtë të dhënë të frikshme ka gjasa të mos merret kush
Nga Enkel Demi

Mediat hollandeze raportuan se në dy muajt e parë të këtij viti numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në këtë vend është më i madh se ai i sirianëve. Ky ka qenë një lajm mëngjezor i një dite pushimi, i cili u tret nga përplasja e opozitarëve me policët tek këndi i lojërave te liqeni. Tash, që opozita ka përcaktuar betejën e saj kryesore për të rrëzuar qeverinë, pra ndalimin e trenit të fëmijëve tek Parku, me këtë të dhënë të frikshme ka gjasa të mos merret kush. Natyrisht, në rezistencën opozitare ka prioritet rrugina e betonit ku do kalojë çuf çufi që ka rëndësi themelore për punët e këtij vendi, ndaj duhet ndaluar, mundësisht me allti.

Gjithsesi, zemërpulat si ne që kemi fobi ndaj armëve, nuk na ikën nga mendja kjo e dhënë hollandeze. Përse shqiptarët që po i kthejnë në masë vazhdojnë të eksperimentojnë? Flasim për një kohë, kur ambasada gjermane pothuaj nuk shpërndan asnjë komunikatë tjetër shtypi veç orareve të avionëve që kthejnë përditë gati 100 shqiptarë, të cilët kanë kërkuar strehë në Perëndim. Thua janë budallenj shqiptarët që megjithëse u thonë që nuk ju mban kush sërish ikin, sërish kërkojnë azil? Janë të gënjyer? Janë ata shqiptarët e famshëm të virusit grek si thotë Saimir Tahiri dhe Edi Rama?

Mund të bësh një listë të madhe me pyetje, por besoj se ka veç një përgjigje. Shqiptarët janë të dëshpëruar, shpresëhumbur. E kanë mbledhur tashmë që ky vend ka marrë udhën e m…, ndaj kush ka dy lekë mënjanë a mundësi të marrë hua e ndal vrapin diku në Perëndim.

“Ku të shkojmë se gjermani i kthen?

Hajt’ ta provojmë në Hollandë… .”

Ky mund të jetë një bashkëbisedim i thjeshtë mes shqiptarëve, një torbë bukë me pak tesha dhe të nesërmen e gdhin në një stacion policie hollandez. Atje pyeten dhe të gjithë ankohen për gjithçka që ka të bëjë me atdheun, megjithëse edhe për autoritetet e atjeshme Shqipëria është një vend origjine i sigurtë. Perëndimorët e kanë të vështirë ta kuptojnë përse shqiptarët e thjeshtë ikin me gra e fëmijë dhe ankohen në një rajon policie, megjithëse shumë prej tyre nuk duken skamnorë. Depresionin shoqëror, mungesën e shpresës e ke të vështirë ta shpjegosh në një intervistë të rëndomtë policie, me pyetje bajate të burgosura brenda një formulari. Nuk ka asnjë shanc që një tulipan ta marrë vesh këtë, aq më shumë një polic dhe tek e fundit një i huaj nuk ka as detyrë e as qëllim të kuptojë një hallemadh të Shqipërisë.

Tjetër kush duhet ta kuptonte, ta kapërdinte, ta bënte të vetin këtë dert, ta artikulonte, të niste betejën, në mënyrë që shqiptari të shpresojë se po iku kjo qeveri, do vijë dikush që do sjellë punë, mundësi, pse jo begati. Tjetër kush duhet të ishte frymëzuesi dhe të mbante gjallë kandilin e shpresës. Ky tjetër kush ka hallin e rruginës së çuf çufit, prandaj kur një shqiptar e pyet sot për qeverinë të thotë një mijë e një të zeza, por po e pyete për alternativën të thotë: “M… njëri, k… tjetri”.

Botuar në 27.al me titullin “M… njëri, k… tjetri”

 

Vizita, analiza e kura mjekësore. A mund të mos paguaj për shërbimin shëndetësor?

I dua shqiptarët