I ideuar nga Dijana Tosku, i kompozuar nga Genc Tukiçi dhe i kënduar nga Inva Mula me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës të drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj, do interpretohet në 3 shtator në Vatikan
Quhet “Vals Hyjnor” himni kushtuar Nënë Terezës që do të interpretohet më 3 shtator në Vatikan në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës, që do të realizohet më 4 shtator.
Himni është kompozuar nga Genc Tukiçi dhe do të interpretohet nga Inva Mula së bashku me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës të drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj. “Është kurorëzim i idesë dhe punës së palodhur të gazetares Dijana Toska e cila mundësoi që Valsi Hyjnor të interpretohet në Vatikan”, shkruan sot Genc Tukiçi, në faqen e tij në Facebook.
“Kemi rastin historik si komb dhe shtet që ta dëshmojmë veten dhe të hapim një faqe të ndritur të historisë sonë, kur miliona njerëz nga rruzulli tokësor do të përcjellin Shenjtërimin e Nënë Terezës. Ky është një rast historik dhe i papërsëritshëm në historin e kombit shqiptar. Valsi Hyjnor do të jetë një dhuratë për njerëzimin nga shpirti shqiptar si dëshmi e dashurisë sonë të madhe ndaj njerëzimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë” shkruan Dijana Tosku, ideatorja e këtij himni në Facebook, .
“Figura unifikuese dhe mbresëlënëse e Nënës Terezës, u shpreh simbolikisht dhe në vetë përbërjen e ekipit që ju përkushtua realizimit të himnit. Artistë, producentë e organizatorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Diaspora të mbledhur rreth kësaj ideje artistike, e bënë porosinë që shpreh ajo, më madhështore dhe reflektuese për botën. Imazhi i kësaj vepre artistike do të jetë një ‘’biometri’’ për të gjithë gjeneratat e shqiptarëve të shquar të cilët në rrethana e kohë të ndryshme nuk arritën të kenë komunikim normal me botën e qytetëruar. Nëna Tereza dhe vepra e saj humane po e shpërfaq edhe njëherë talentin dhe zgjuarsinë e artistëve shqiptarë në dioptrinë më të lavdishme”, ka thënë për ATSh-në Tosku.
Në dhjetor të vitit 2014, teksa në Shkup po mbahej simpoziumi kushtuar 100 vjetorit të vdekjes së pagëzuesit të Nënës Tereze, Don Zef Ramaj, Dijana Toskës i lindi ideja që poezinë e shkruar nga duart Nënë Terezës, ta shndërrojë në një testament që do të shërbejë si kod moral i bekimit të njerëzimit. Ka përzgjedhur poezinë “Lamtumirë” shkruar nga bamirësja e madhe në anije kur po largohej më 1928 për në Kalkutë, Indi. Muzikën e kishte shkruar kushëriri i saj, Lorenc Antoni me kërkesë të Don Lush Gjergjit, pak para vdekjes së tij. Me 5 janar, në Katedralen në Prishtinë, Dijana takoi, Don Lush Gjergjin ku i paraqiti projektidenë për Himnin dhe shtëpinë e Nënës Terezës i cili përçon tri mesazhe: universal, fetar e kombëtar.
Ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës do të mbahet ditën e diel, më 4 shtator 2016, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Dhe data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores Nënë Tereza e Kalkutës. Nënë Tereza u shpall E Lume më 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali II. (Sipas ATSh-së)