in

Flukset. A mund të vij në Itali edhe pse jam dëbuar njëherë, kohë më parë?

Gjeta një punëdhënës që mund të më ofrojë punë sezonale që të vij të punoj në Itali, por  kam marrë një dekret dëbimi para ca kohësh. Është problem?

Dekreti administrativ i dëbimit parashikon që i huaji të mos mund të hyjë në Itali e në të gjithë zonën Schengen për një periudhë jo më të shkurtër se tre vjet e jo më të gjatë se 5 vjet. Për motive të veçanta të sigurisë publike apo të rendit publik, apo sidoqoftë nëse i huaji konsiderohet i rrezikshëm për shoqërinë, ndalimi mund të zgjasë edhe më shumë se pesë vjet.

Koha e saktë për të cilën të huajit i ndalohet hyrja specifikohet në dekret të dëbimit dhe kjo kohë llogaritet nga data e largimit efektiv të personit, që rezulton në vulën e daljes të vënë në pasaportën e të interesuarit. Vetëm pasi kalon kjo kohë, i huaji mund të hyjë në Itali e të punësohet me procedurën e parashikuar nga flukset e hyrjes.

Sidoqoftë, para se të rihyjë në Itali ai duhet të paraqesë kërkesë për ripranim pranë Ambasadës apo Konsullatës italiane në vendin ku jeton. Në kërkesë duhet të tregojë se ka respektuar urdhrin e dëbimit nga Italia, për shembull duke treguar pasaportën me vulën e daljes dhe çdo dokument të mundshëm që dëshmon se ka jetuar në vendin e tij si për shembull certifiikata mjekësore të lëshuara nga autoritetet shëndetësore, apo certifikata studimi etj.

Autoritetet konsullore do të verifikojnë identitetin e aplikuesit dhe do t’i përcjellin kërkesën e tij ministrisë së Brendshme Italiane. Minisitria, paso të marrë të gjithë dokumentacionin, do të vlerësojë dhe verifikojë përmbushjen e kritereve për rihyrjen në Itali. Është e udhës të verifikohet edhe nëse emri rezulton në Sistemin e Informacionit Schengen (SIS), duke i drejtuar kërkesë Ministrisë së Brendshme, sepse në rast se rezulton akoma i sinjalizuar, do të nevojitet të kërkohet fshirja e emrit për të shmangur probleme në çastin e hyrjes në Itali.

Si mund të hyhet në Itali gjatë periudhës së ndalimit të hyrjes

Duhet mbajtur parasysh se i huaji që ka marrë një dekret dëbimi nuk mund të hyjë në Itali për asnjë arsye gjatë periudhës së përcaktuar në dekret pa një autorizim të posaçëm të ministrisë së Brendshme, në rast të kundërt konsiderohet shkelës ligji dhe dënohet me nga 1 deri 4 vjet burg dhe dëbohet sërish me shoqërim të menjëhershëm në kufi. Autorizimi i sipërpërmendur kërkohet nga i interesuari pranë Përfaqësisë Diplomatike në vendin ku jeton dhe jepet në raste të veçanta si bashkimi familjar, falë një autorizimi të lëshuar nga Gjykata e të Miturve apo për motive që kanë të bëjnë me drejtësinë (kërkohet për shembull prania e tij në gjykatë gjatë një procesi).

Kujdes: Dëbimi administrativ që u jepet të huajve që nuk kanë kaluar nëpër kontrollin e kufirit, dhe që nuk janë kthyer mbrapsht që në kufi për mospërmbushjen e kritereve të hyrjes, janë të parevokueshëm sipas nenit 13, paragrafi 13 i dekretit legjislativ 286/1998.
E njëjta gjë vlen edhe për ata që kanë marrë dekret dëbimi administrativ sepse kanë vazhduar të jetojnë në Itali më gjatë se tre muajt e lejuar për qëndrimet afatshkurtra, të lejuara për shembull për shqiptarët kur vijnë në Itali pa vizë, dhe për të gjithë ata të cilëve u është tërhequr, anuluar, refuzuar lëshimi apo përtëritja e lejes së qëndrimit. E njëjta normë ligjore zbatohet edhe për ata që nuk kanë përtërirë lejen e qëndrimit brenda 60 ditëve nga data e skadencës, pa një arsye të vlefshme e të dokumentuar force madhore.
As Teksti Unik mbi imigracionin as dispozita të tjera ligjore nuk parashikojnë revokimin të dekreteve të dëbimit. Motivi për të cilin nuk është i mundur revokimi i dekretit të dëbimit në këto raste është se masa nuk është lëshuar mbi kritere vetëgjykuese të administratës (discrezionalità), por sepse i huaji ka shkelur normat që disiplinojnë hyrjen dhe qëndrimin në Itali, pa asnjë motivim force madhore, prandaj autoritetet që lëshojnë dekretin e dëbimit, nuk bëjnë tjetër gjë veçse kryejnë atë që kërkon ligji në ato raste.
 

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

In Italiano: Flussi. Posso venire in Italia anche se ho avuto un’espulsione?

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Treviso. Humbi jetën në një aksident rrugor, sigurimet nuk paguajnë familjen

1 Maj në sheshin San Giovanni. Fanfara Tirana interpreton “Bella Ciao” (VIDEO)