in

Bonusi bebe. Qeveria mendon ta dyfishojë, por hesht për imigrantët

Ministrja e Shëndetësisë, Lorenzin, flet për një plan për rritjen e çekut. Por nuk thotë asnjë fjalë për kriterin e kartës së qëndrimit të hedhur poshtë nga gjykata

Romë, 17 maj 2016 – Nëse fjalët do të pasohen edhe nga faktet, nga viti i ardhshëm bonusi për të sapolindurit do të jetë shumë më i madh se tani. Por mbetet akoma për t’u parë nëse lajmi i mirë do të jetë për të gjithë prindërit imigrantë.

Sot bonusi u rezervohet familjeve me ISEE nën 25 mijë euro, që mund të kenë një çek mujor prej 80 € për tre vjet nga lindja apo birësimi i fëmijës. Shuma dyfishohet në 160 € kur ISEE nuk kalon 7 mijë eurot.

Bonusi u takon prindërve italianë, komunitarë dhe jokomunitarë, por për këta të fundit ligji kërkon që të jenë mbajtës të lejeqëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, e ashtuquajtura kartë qëndrimi, një kriter në kundërshtim me normativën evropiane e të hedhur poshtë tashmë nga gjykata e Bergamos: ndihma duhet të jetë për të gjithë imigrantët që kanë një leje qëndrimi të vlefshme për punë.

Të dielën, në një intervistë për të përditshme Repubblica, ministrja e Shëndetësisë Beatrice Lorenzin paralajmëroi se qeveria dëshiron të dyfishojë bonusin me ligjin e ardhshëm të Qëndrueshmërisë, duke e çuar çekun për familjet me ISEE nën 25 mijë euro në 160, atë për familjet me ISEE deri në 7 mijë, në 320 € në muaj. Rritje të mëtejshme duhet të parashikohen nga fëmija i dytë, që gjithnjë në bazë të ISEE-s do të shkojnë në 240 apo 400 euro. Në muaj.

Në Republika flitej edhe për një “plan B” që po studion qeveria , akoma më zemërgjerë, por në të vërtetë burime nga Pallati Chigi frenojnë që tani, duke shpjeguar për ANSA-n se ajo për të cilën foli ministrja “është vetëm një nga propozimet e shumta në këtë aspekt. Nga ana tjetër, do të ishte e arsyeshme t’i jepet përparësi “një këndvështrimi gjithëpërfshirës të mjeteve të ëelfare”.

Sido që të bëhet, mbete e hapur çështja e imigrantëve. Ka kaluar një muaj nga sentenca e gjykatës së Bergamos dhe Qeveria nuk ka thënë asnjë fjalë se si do të ndërhyjë për t’u përshtatur vendimit të gjykatësve. Edhe INPS, nga arkat e të cilit del çeku, hesht. Nënave e baballarëve pa kartë qëndrimi do t’u duhet të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre në gjykatë?

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Shtetësia. “Mjaft diskriminime, menjëherë reformën për bijtë e imigrantëve”

Sadiq Khan sipas Beppe Grillos, një “bangladeshian”, që “do të hidhet në erë në Westminster”