in

Çeqet familjare edhe imigrantëve të papunë, INPS duhet të paguajë

Gjykata e Venecias pranon ankesën e një qytetari tunizian të mbështetur nga INCA. Piccinini: “Mos bëhen interpretime shtrënguese për të kursyer në kurriz të atyre që kanë më shumë nevojë”

Venecia, 23 maj 2016 – Çeku për bërthamën familjare (ANF) u takon edhe imigrantëve të papunë e familjarëve të tyre në ngarkim që nuk janë në Itali. Ligji nuk lë hapësirë për të bërë dallime mes italianëve dhe të huajve, ndaj INPS duhet të paguajë.

Me një sentencë të depozituar më 18 maj, gjykata e Venecias ka pranuar ankesën e një qytetari tunizian të mbrojtur nga avokatët e patronatit INCA.

Tuniziani, resident në Itali e mbajtës i një lejeqëndrimi për qëndrues afatgjatë, pasi humbi vendin e punës kërkoi dhe iu njoh kompensimi i papunësisë (Mini Aspi). Pikërisht për këtë arsye, shpjegon një komunikatë e patronatit, menjëherë më pas aplikooi edhe për çekun për bërthamën familjare për familjarët e vet rezidentë në vendlindje, siç parashikon konventa dypalëshe e vitit 1984, mes Italisë dhe Tunizisë, lidhur me sigurinë sociale.

Por INPS ia mohoi të drejtën duke thënë se konventa dypalëshe vlen vetëm për punonjësit në marrëdhënie pune dhe jo për të papunët. Gjykatësi i gjykatës së Venecias, në të kundërt, me sentencën nr. 376 për çështjen e ngritur nga tuniziani i mbështetur nga avokatët e INCA-s (Vittorio Angiolini, Chiara Santi dhe Luca Formilan), vendosi, sipas interpretimit të saktë të nenit 23 të konventës mes dy vendeve, që punonjësi edhe pse në gjendje papunësie është “subjekt i barazvlefshëm me punonjësin” e për rrjedhojë ka të drejtën e çekut për familjen, edhe për familjarët që jetojnë në vendlindje.

Në sentencë shtohet gjithashtu që kjo ndihmesë është sidoqoftë e detyrueshme të jepet sipas normativës evropiane (direktiva 109/2003/BE) që përcakton të drejtën e qëndruesve afatgjatë (pra të atyre që kanë kartën e qëndrimit) të “përfitojnë shërbimet e asistencës sociale, të pensionit (…), nëse nuk parashikohet ndryshe e gjithnjë nëse tregohet rezidenca efektive e të huajit në territorin kombëtar”.

Për këtë asrsye, gjykatësi dënoi INPS-in të paguajë shumat që i detyrohet tunizianit, përfshirë interesat e maturuara nga dita e 121-të e paraqitjes së kërkesës për çekun për bërthamën familjare, si edhe shpenzimet legale.

“Është një rezultat domethënës për punonjësit emigrantë tunizianë, familjarët e të cilëve jetojnë akoma në Tunizi – shpjegon Claudio Piccinini, coordinator i zyrave për imigracionin i INCA-s – dhe jo vetëm për ta. Kjo sentencë sqaron pa lënë vend për dyshime të drejtën për çeqet familjare që u njiheshin edhe më parë rregullisht punonjësve, gjatë trajtimit me kompensimin për papunësinë. Një parim që INPS papriturka vënë në diskutim, me interpretime tejet shtrënguese të normës, me qëllim që të kursejë në kurriz të atyre që janë në nevojë e që me të ardhurat e tyre kontribuojnë në mbajtjen e familjes”.

Lexo sentencën e gjykatës së Venecias

 

Rigerta Loku, ish studentja e La Sapienza-s që ngriti fermë dhish në Rubik

Shqipëria në Festën e Popujve – Album fotografik