Të dielën e shkuar ka ndërruar jetë Kujtim Mehmeti, 48 vjeç. E kujtojnë të gjithë si njeri të qeshur, të dashur e të gatshëm për të ndihmuar këdo, ndaj vdekja e tij e papritur ka tronditur thellë jo vetëm komunitetin shqiptar në provincën e Parmës por edhe banorët e fshatit Torrile, ku jetoi 23 vjet. Sjellim këtu të përkthyer me lejen e autores, shkrimin e botuar dje në Gazzetta di Parma nga Chiara De Carli
Kujtim Mehmeti ishte 48 vjeç. Mëngjesi i të dielës së shkuar ishte si shumë të tjerë: pazari me të shoqen Esmeralda dhe djemtë Daniel e Klevis, një xhiro në qendrën tregtare e më pas në shtëpi për t’u marrë me ato ato gjerat e vogla që puna e përditshme të detyron t’i lësh gjithnjë për në fundjavë.
Duke bërë shkallët e pallatit në rrugën Grandi ku familja jeton, Kujtimi takon fqinjin. “Po iki për ca ditë nga shtëpia, a mund të më presësh pak barin në oborr?” e pyet. Kujtimi iu përgjigj po, i gatshëm t’i hynte punës që atë pasdite.
Por nuk arriti ta sistemonte atë të shkretë oborr: papritur u ndie keq nga ana shëndetësore, aq keq sa për pak minuta ndërroi jetë duke tronditur thellë familjen e gjithë fshatin Torrile ku jetonte.
Kujtimi ishte nga Fieri por jetonte në Torrile prej 23 vjetësh e gjatë kësaj kohe kishte bërë të gjithë për vete falë karakterit të tij bujar e të qeshur.
“Kishte ardhur në Itali si klandestin, si shumë nga ne shqiptarët gjatë atyre viteve, në kërkim të një jete më të mirë” tregon Gentian Alimadhi, sot avokat e një nga miqtë e tij më të shtrenjtë. I nisur me një varkë nga bregu tjetër i Adriatikut, herën e parë iu desh të kthehej mbrapsht ndërsa të dytën rrezikoi të mbeste në mes të detit bashkë me të tjerët që bënin të njëjtin udhëtim. Motori kishte pasur një defekt e vetëm aftësia e tij për të zgjidhur problemet i kishte shpëtuar ata të gjithë nga një vdekje e sigurt.
“Para se të bëheshim me dokumente, jetonim si të mundeshim, por miqësia e gëzimi që dintë të përcillte në çdo situatë na jepnin forcë të shkonim përpara: ishte i qeshur si askush”. Pastaj arriti leja e qëndrimit dhe më në fund një vend pune. I pari qëpati besim te ky djalë i vullnetshëmishte Giovanni Boscaglia, pronar i ndërmarrjes G&G Footwear në Vicomero, ku sot punojnë vëllezërit e Kujtimit.
“Punonte me ne prej 23 vjetësh, ishte burrë i aftë dhe serioz, sa i kishim dhënë një detyrë me përgjegjësi: nuk na zhgënjeu asnnjëherë. Ishte person i mrekullueshëm, i sjellshëm dhe inteligjent dhe në ndërmarrje gëzonte besimin e të gjithëve. Për herë të fundit e pashë të premten: punonte i qetë pranë një makinerie e u përshëndetëm si gjithnjë. Të dielën pastaj më telefonuan nga familja e sot po e ndiejmë shumë humbjen e tij”.
Jo vetëm komuniteti shqiptar dhe ish kolegët kanë mbetur të tronditur nga kjo zi e papritur: Kujtimin e njihte dhe e donte gjithë fshati, ku për shumë vjet ka organizuar, bashkë me të huaj të tjerë të pranishëm në Torrile, Festën Multikulturore të ideuar pikërisht nga komuniteti shqiptar.
E festuan të gjithë më 1 janar 2015, kur më në fund mori shtetësinë italiane, duke kurorëzuar kështu një “ëndërr” për të vërtet të rëndësishme.
“Ishe si një gjigant i mirë – shkruan Anna në profilin e tij Facebook – Kishe gjithnjë dy fjalë për të këmbyer e një buzëqeshje për të gjithë. Ishe shpirtmirë, njeri i sjellshëm dhe plot respekt, me zemër të madhe e buzëqeshje ngjitëse”.
Edhe San Polo Calcio, klubi me të cilin luan i biri Danieli, u mblodh rreth familjes e është bërë nismëtare e mbledhjes së parave – në vend të luleve dhe telegrameve – për t’ua dhënë du fëmijëve të mbetur pa baba.
Këto ditë Kujtimit do t’i bëhet autopsia për të zbardhur shkaqet e vdekjes dhe më pas do të përcillet në banesën e fundit. Varrimi do të bëhet të premten në orën 11 në San Polo të Torriles, pasi këtu jetojnë të gjithë, e shoqja me fëmijët, dy vëllezërit e nëna 72-vjeçare, e ve prej 20 vjetësh.
L’originale in italiano: Kujtim, il gigante buono d’Albania che aveva conquistato il cuore di Torrile