in

Lind Shërbimi Civil Universal, edhe për të huajt

Miratohet përfundimisht në Dhomën e Deputetëve Reforma e Sektorit të Tretë, që mes të tjerash kthen në ligj sentencat e gjykatave. Mund të rekrutohen “italianë e të huaj me qëndrim të rregullt”

Romë, 26 maj 2016 – Tani është e zezë mbi të bardhë: në Shërbimin Civil mund të marrin pjesë edhe djem e vajza të huaj.

Në të vërtetë gjatë viteve të fundit, në garat për rekrutimin e vullnetarëve ishte hequr kriteri i shtetësisë italiane. Falë betejave legale të çuara përpara nga bijtë e imigrantëve, shoqatat dhe sindikatat, që arritën rezultatin më të lartë me sentencën e Gjykatës Kushtetuese e cila hodhi poshtë atë kriter si antikushtetues. Por tani edhe Parlamenti bën më në fund pjesën e tij.

Dhoma e Deputetëve, miratoi dje në mbrëmje përfundimisht Reformën e Sektorit të Tretë. Në brendësi të tij parashikohet ngritja e Shërbimit Civil Universal , “që ka për qëllim mbrojtjen e paarmatosur të atdheut dhe nxitjen e vlerave themelore të Republikës”, që do të zgjasë nga tetë muaj deri në një vit.

Do të parashikohet një mekanizëm programimi, përgjithësisht trevjeçar, i kontigjenteve të të rinjve. Këta mund të jenë “italianë ose të huaj me qëndrim të rregullt, me moshë nga 18 deri në 28 vjeç”, dhe do të rekrutohen me gara e procedura “të karakterizuara nga parimet e thjeshtëzimit, transparencës dhe jodiskriminuese”.

Reforma është një Ligj me delegim, pra tani do ta ketë radhën qeveria të shkruajë dekretet që do ta bëjnë të zbatueshëm çka vendosi Parlamenti.

Ndërkohë, ditët e ardhshme pritet të hapet një garë e re e Shërbimit Civil për 40 mijë vullnetarë të rinj, natyrisht edhe bij imigrantësh.

 

Kujtim Mehmeti, gjiganti shpirtmirë

Taksa mbi lejet e qëndrimit, “Tani duhen dëmshpërblyer imigrantët”