in

Taksa mbi lejet e qëndrimit, “Tani duhen dëmshpërblyer imigrantët”

Intervistë me profesorin Vittorio Angiolini, një nga avokatët që ndoqën ankesën në TAR. “Kontributi nuk paguhet më, zyrat postare nuk kanë asnjë të drejtë që të vazhdojnë ta kërkojnë. Nuk është e ndershme që të detyrosh imigrantët e rregullt të paguajnë kostot e riatdhesimeve”

Romë, 26 maj 2016 – Kontributi për lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit? Sentenca e Gjykatës Administrative të Lazios është shumë e qartë, është hequr sepse është i paligjshëm. Normativat italiane që e parashikonin ishin në kundërshtim me normativat evropiane. Do të thotë që imigrantët, që sot, nuk duhet të paguajnë e mund të kërkojnë mbrapsht sa janë detyruar padrejtësisht të paguajnë deri më sot”.

Profesori Vittorio Angiolini, docent i të drejtës ndërkombëtare në Statale të Milanos, është një nga avokatët që ka ndjekur në TAR dhe në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë ankesën e INCA-s dhe CGIL-s kundër barrës prej 80, 100 apo 200 euro që imigrantët janë detyruar të paguajnë nga viti 2012. “Ankesa u pranua, nuk ka më asgjë për të diskutuar, nuk ka vend për interpretime të tjera. Ai kontribut nuk duhet kërkuar më” thekson për Stranieriinitalia.ti.

Por imigrantët nuk e besojnë, e jo vetëm pse lajmi është shumë i mirë për të qenë i vërtetë. “Kemi përtërirë lejeqëndrimin sot e kemi paguar taksën 100 euro” shkruan një lexues. Zyra postare ku paraqiti kërkesën, i kërkoi kuponin e derdhjes së kontributit. A është normale kjo gjë? A ka nevojë për hapa të tjerë që sentenca të hyjë në fuqi?

“Jo. Edhe Postat italiane duhet t’i përshtaten menjëherë vendimit të gjykatësit e nuk duhet të kërkojnë më derdhjen e kontributit. Veç të tjerash, përtej sentencës, ndërmarrja Poste Italiane është e detyruar të sigurojë shërbimin e mbledhjes së kërkesave për të cilin paguhet shumë mirë”.

Imigrantët do të kursejnë këtej e tutje, po me paratë që kanë derdhur deri tani ç’do të bëhet?

“Shteti duhet t’ua kthejë të gjitha. Kush ka paguar për shkak të një ligji të paligjshëm ka të drejtë të rimbursohet dhe të dëmshpërblehet. Qëveria ndoshta i mbështet shpresat në faktin që jo të gjithë do ta hedhin në gjyq për të çuar në vend të drejtën e tyre, sepse të hapësh një çështje gjyqësore është e kushtueshme”.

Si janë përdorur deri më sot këto para? Për të përmirësuar punën për praktikat e lejeve të qëndrimit?

“Një pjesë e mirë janë shpenzuar për të financuar riatdhesimet e mbrojtjen e rendit publik. Me një fjalë, u kanë ngarkuar në kurriz imigrantëve të rregullt, vetëm për faktin pse janë të huaj, kostot e të parregulltve dhe të kriminalitetit. Kjo është absurde, diskriminuese, e pandershme”.

Qeveria mund të nxjerrë një normë të re për të rifutur kontributin mbi lejet e qëndrimit? A i lë sentenca hapësirë të ndërmarrë një veprim të tillë??

“Hapësira është shumë e ngushtë e përcaktohet nga sentenca e Gjykatës së Drejtësisë Evropiane, sipas të cilës për lejen e qëndrimit mund të kërkohet një kontribut, por duhet të jetë i krahasueshëm me atë që shteti kërkon për kartat e identitetit”.

E dini sa është sot ky kontribut për kartat e identitetit? Vetëm 5,42 euro.

Elvio Pasca

Lexo edhe:

Taksa mbi lejet e qëndrimit nuk paguhet më
Sentenza del TAR Lazio che cancella la tassa sul permesso di soggiorno

 

 

 

 

 

 

 

Lind Shërbimi Civil Universal, edhe për të huajt

“Jam shqiptar”, takim i ministrit Bushati me shqiptarët e Italisë